Prokurorët bastisin zyrën e kryeministrit austriak: Dyshime të forta për korrupsion
Prokurorët në Austri kontrolluan këtë mëngjes zyrat e kancelarit Sebastian Kurz, ato të këshilltarëve të tij më të afërt dhe selinë e partisë konservatore në Vjenë, mes dyshimeve se kreu i ekzekutivit ka përdorur fonde qeveritare për të siguruar nja mbulim të favorshëm mediatik
Prokurorët në Austri kontrolluan këtë mëngjes zyrat e kancelarit Sebastian Kurz, ato të këshilltarëve të tij më të afërt dhe selinë e partisë konservatore në Vjenë, mes dyshimeve se kreu i ekzekutivit ka përdorur fonde qeveritare për të siguruar një mbulim të favorshëm mediatik.
“Sebastian Kurz dhe nëntë të dyshuar të tjerë, si dhe tre organizata, janë subjekt i një hetimi për vepra të ndryshme korrupsioni në lidhje me këtë çështje”, thuhet në një deklaratë të prokurorisë.
Sipas agjensisë së lajmeve APA, bastisjet u kryen në kuadrin e pretendimeve se Kurz dhe Partia e tij OVP i kanë dhënë ryshfet pronarit të gazetës Österreich, Wolfgang Fellner që të publikonte sondazhe favorizuese për kancelarin.
Prokurorët dyshojnë se anketimi është paguar me para të Ministrisë së Financave, e cila drejtohet po ashtu nga OVP.
Përfaqësuesit e Fellner thanë se hetimi mbështetej “në disa keqkuptime shumë të rënda”. Gjatë ditëve të fundit, konservatorët austriakë kishin spekuluar vazhdimisht për bastisje të mundshme të zyrave të tyre, duke i denoncuar paraprakisht si përpjekje për të dëmtuar partinë dhe kancelarin.