BotaTë fundit

Macron qorton NATO-n për paaftësinë e veprimit ndaj okupimit “të çmendur” turk në Siri

Bruksel-Ankara-Washington – Presidenti francez ka qortuar ashpër të premten paaftësinë e NATO-s për të reaguar ndaj asaj që e quajti ofensivë “e çmendur” e Turqisë në veri të Sirisë, dhe tha se ka ardhur koha që Evropa të ndalojë së vepruari si një aleat i vogël kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme.

Okupimi ushtarak i Turqisë në Siri për të sulmuar forcat kurde, i nisur pasi që presidenti Donald Trump i tërhoqi trupat amerikane nga rajoni, i zuri në befasi fuqitë më të mëdha evropiane të NATO-s – Francën, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe. I zhyti në zemërim nga frika se luftimet mund ta gjenerojnë një boshllëk sigurie që do ta hapte rrugën për ikjen e militantëve të Shtetit Islamik nga burgjet kurde dhe të përbënin rrezik të ri, i cili do ta zhbënte suksesin e shënuar të koalicionit perëndimor në territorin e “kalifatit” të ISIS-it, shkruan sot Koha Ditore.

Sulmi turk i kacafyti fuqitë e Bashkimit Evropian edhe për sa i përket gjetjes së një përgjigjeje koherente, përtej refuzimit për ta paguar Turqinë që ta pengojë një krizë të re refugjatësh para dyerve të Evropës.

Turqia pranoi një armëpushim të enjten pas bisedimeve me zyrtarët amerikanë, duke e premtuar një pauzë pesëditore të luftimeve në mënyrë që militantët kurdë të SPFsë të tërhiqen nga rajoni ku tani ndodhen forcat turke. Por Washingtoni ka thënë se ujdia përthekon një pjesë të vogël të territorit që Turqia synon ta kontrollojë për ta përdorur si “zonë sigurie”, dhe njoftoi se të shtëna janë dëgjuar gjatë gjithë së premtes përgjatë vijës kufitare.

“Konsideroj se ato që kanë ndodhur gjatë disa ditëve të fundit (në veri të Sirisë) janë një gabim i rëndë i Perëndimit dhe NATO-s në rajon”, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron, pas samitit të Këshillit të Evropës në Bruksel.