FutbollSporti

Futbollisti preshevar, Fidan Aliti flet para ndeshjes me Suedinë: “Besoj se do t’ua bëjmë një dhuratë tifozëve me rezultat pozitiv

Kombëtarja e Kosovës në futboll pasditen e së enjtes e ka zhvilluar edhe stërvitjen e fundit para udhëtim në Stokholm, aty ku do të ballafaqohet me Suedinë, në takimin e vlefshëm për kualifikimet e Kupës së Botës ‘Katar 2022’.

Pas përfundimit të stërvitjeve ka folur mbrojtësi i Zurichut, Fidan Aliti, i cili pritet ta nisë nga minuta e parë duelin ndaj suedezëve.

Aliti ka thënë se janë 100 përqind të gatshëm për këtë ballafaqim, si dhe foli edhe për tifozët ‘Dardanët’.

“Moti ishte pak i vështirë, por ne si futbollistë jemi mësuar të stërvisim edhe në këso kushte. Madje, mendoj se kjo ka qenë një përgatitje e mirë për Suedi, ngase edhe atje na pret një mot i tillë. Kësaj radhe kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme për neve dhe besoj se secili prej neve është 100 përqind i gatshëm për lojë. Ka qenë një kohë e gjatë që nuk kemi luajtur para “Dardanëve” dhe normalisht se çdo herë ndjehemi krenar kur luajmë para tyre. Një falënderim i madh shkon për ata, ngase vazhdimisht na përkrahin kudo që shkojmë. Njëjtë do të jetë edhe në Suedi dhe besoj se edhe ne do t’ua bëjmë një dhuratë me rezultat pozitiv”, u shpreh Aliti.

Kombëtarja e Kosovës niset të premten në mëngjes drejt Suedisë, ku edhe do ta zhvillojë stërvitjen e fundit në stadiumin “Friends Arena” në Solna të Stokholmit, në orën 18:00