Blog

  • Rexhepi reagon ndaj Trupit Koordinues: “Flamuri ynë nuk negociohet dhe nuk hiqet kurrë nga institucioni i shqiptarëve”

    Rexhepi reagon ndaj Trupit Koordinues: “Flamuri ynë nuk negociohet dhe nuk hiqet kurrë nga institucioni i shqiptarëve”

    Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), Enkel Rexhepi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke theksuar se institucioni që ai drejton nuk do të pranojë asnjë lloj presioni apo kushtëzimi politik.

    Në reagimin e tij, Rexhepi ka bërë të ditur se Trupi Koordinues kishte premtuar rritje të fondeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar, por ky premtim nuk është realizuar. Ai ka zbuluar se përfaqësues të këtij trupi kanë kërkuar heqjen e flamurit kombëtar nga ambientet e KKSh-së si kusht për nënshkrimin e një marrëveshjeje të bashkëpunimit për projektin “Revista Nacionali”.

    “Trupi Koordinues ka premtuar rritje të fondeve për KKSh, premtim i cili nuk është realizuar. Pasi nuk e mbajtën fjalën, erdhën në zyrat tona dhe kërkuan nënshkrimin e marrëveshjes me kusht që të hiqet flamuri kombëtar nga institucioni ynë. Kjo është e papranueshme,” – ka deklaruar Rexhepi.

    Ai ka theksuar se flamuri kombëtar nuk është objekt negociatash dhe se KKSh nuk do të lejojë asnjë tentativë për ta vënë institucionin në pozitë nënshtrimi për mjete financiare.

    “Flamuri ynë nuk negociohet, nuk zëvendësohet dhe nuk hiqet kurrë nga institucioni përfaqësues i shqiptarëve,” – ka shtuar ai.

    Rexhepi ka bërë të ditur se Këshilli ka përgatitur të gjitha procedurat për nënshkrimin e marrëveshjes në mënyrë institucionale dhe transparente, ashtu siç është vepruar edhe në të kaluarën, pa spektakël politik dhe pa kushte degradimi.

    Në fund të reagimit, kryetari i KKSh-së ka theksuar se ky institucion do të vazhdojë të qëndrojë i hapur për bashkëpunim me çdo palë që respekton dinjitetin dhe barazinë institucionale.

    “Bashkëpunimi nënkupton respekt të ndërsjellë, e për këtë lloj bashkëpunimi jemi të gatshëm gjithmonë, me këdo,” – përfundon reagimi i Rexhepit.

  • Duka takohet me Sinanin: Presheva nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Futbollit

    Duka takohet me Sinanin: Presheva nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Futbollit

    Mundësi të reja për të rinjtë shqiptarë nga Lugina

    Sot është formalizuar bashkëpunimi mes Komunës së Preshevës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), përmes një Memorandumi Bashkëpunimi të nënshkruar në Tiranë. Marrëveshja parasheh hapjen e shtigjeve dhe mundësive të reja për zhvillimin e futbollit në Luginën e Preshevës, veçanërisht për të rinjtë me talent sportiv.

    Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e ka vlerësuar këtë akt si një hap historik që i jep drejtim të ri sportit në komunë.

    “Ky bashkëpunim i filluar zyrtarisht sot do ta bëjë Federatën Shqiptare të Futbollit pjesë përbërëse të Luginës. E në një të ardhme, do ta bëjë Luginën pjesë të përhershme të FSHF-së, duke ua mundësuar të rinjve tanë që të mbrojnë ngjyrat e kombëtares sonë,” – ka deklaruar Sinani.

    Sipas saj, ky bashkëpunim shënon realizimin e një ëndrre të kahmotshme të shumë të rinjve nga Lugina, të cilët për shkak të kufizimeve të ndryshme nuk kanë pasur mundësi të zhvillohen në nivel kombëtar.

    Sinani theksoi gjithashtu se përmes këtij bashkëpunimi po përmbyllet edhe një amanet simbolik i të ndjerit Hasan Kadriu, menaxherit të parë shqiptar në FIFA, duke e cilësuar këtë si një “shpërblim të vonuar, por të merituar për Preshevën”.

    Në emër të të rinjve futbollistë, kryetarja Sinani shprehu mirënjohje të veçantë për presidentin e FSHF-së, z. Armando Duka, për mbështetjen dhe prioritetin që i ka dhënë Luginës së Preshevës në politikat e zhvillimit sportiv.

    “Memorandumi i nënshkruar sot është vetëm hapi i parë drejt zhvillimit dhe afirmimit të futbollistëve shqiptarë nga Lugina, duke iu siguruar atyre edhe infrastrukturë moderne për futboll,” – shtoi ajo.

    Ky bashkëpunim pritet të hapë rrugën për projekte konkrete në ndërtimin e fushave sportive, organizimin e kampeve stërvitore dhe përfshirjen e talenteve të rinj në programet e FSHF-së.

  • Procesi i aplikimit të legalizimit fillon nga 8 dhjetori i këtij viti

    Procesi i aplikimit të legalizimit fillon nga 8 dhjetori i këtij viti

    Procesi i aplikimit për legalizimin e objekteve do të fillojë më 8 dhjetor. Deri në fund të kësaj jave pritet të publikohet formulari online për paraqitjen e kërkesave – ka deklaruar të mërkurën Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Financave, Sinisha Malli.

    Sipas tij, afati për paraqitjen e dokumenteve dhe materialeve shtesë, si dhe për dorëzimin e komenteve apo ankesave, do të zgjatet deri më 8 mars.

    Ky hap synon të lehtësojë procedurat për qytetarët dhe të mundësojë një proces më të qartë dhe më efikas të legalizimit të ndërtimeve. Qeveria paralajmëron se të gjitha aplikimet do të mund të bëhen në mënyrë elektronike, përmes formularit online që do të vihet në dispozicion gjatë ditëve në vijim.

    Ministri Malli ka theksuar gjithashtu se, përveç aplikimit online, do të mundësohet edhe aplikimi fizik në letër.
    “Këtë do ta organizojmë në të gjitha komunat dhe zyrat postare. Mendojmë se do të ketë rreth 700 pika nëpër zyra postare ku do të mund të realizohet ky proces, përveç komunave, ndërsa punonjësit e komunave dhe të postave do të ndihmojnë qytetarët gjatë plotësimit të aplikimeve,” – ka thënë Malli për TV Pink.

    Ky hap synon të lehtësojë procedurat për qytetarët dhe të mundësojë një proces më të qartë dhe më efikas të legalizimit të ndërtimeve. Qeveria paralajmëron se të gjitha aplikimet – qoftë online apo fizike – do të jenë të mundshme nga fillimi i dhjetorit.

  • Këshilli Kombëtar Shqiptar miraton programin për shpërndarjen e Fondit të Qeverisë së Kosovës

    Këshilli Kombëtar Shqiptar miraton programin për shpërndarjen e Fondit të Qeverisë së Kosovës

    Sot është zhvilluar Seanca e IV-të e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku janë trajtuar disa pika me rëndësi për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës.

    Në qendër të diskutimeve ishte votimi i Programit për shpërndarjen e Fondit të Qeverisë së Kosovës, si dhe përgatitja e thirrjeve publike për projekt-propozime që do të mbështesin fushat që lidhen me identitetin kombëtar shqiptar.

    Me iniciativën dhe propozimin e kryetarit të Këshillit, Enkel Rexhepi, u miratuan komisionet vlerësuese, të cilat përbëhen nga profesionistë të fushave përkatëse dhe persona me integritet të lartë nga Lugina e Preshevës.

    Gjithashtu, u votua edhe komisioni vëzhgues, që do të kujdeset për mbarëvajtjen dhe transparencën e procesit.

    Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, theksoi se Këshilli do të vazhdojë angazhimin për të sjellë më shumë mbështetje nga Kosova dhe Shqipëria në Luginë, me qëllim të forcimit të identitetit kombëtar dhe përmirësimit të kushteve për komunitetin shqiptar.

  • Liburn Aliu është emëruar Drejtor i ri i Portit të Durrësit

    Liburn Aliu është emëruar Drejtor i ri i Portit të Durrësit

    Aliu është emëruar drejtor me vendim të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
    Deri më tani këtë post e ka mbajtur Kreshnik Bajraktari, i cili u emërua në korrik 2024.
    Dy muaj pas dorëheqjes nga posti e ministrit në detyrë të Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2, Aliu, një prej figurave kryesore të Lëvizjes Vetëvendosjes është emëruar drejtor i Portit të Durrësit.
    Liburn Aliu është njëri nga themeluesit e Vetëvendosjes dhe për shumë vjet një nga njerëzit më të afërt të Albin Kurtit, kryetarit të LVV-së dhe kryeministrit në detyrë të Qeverisë së Kosovës.
    Ai shërbeu për më shumë se katër vjet si ministër i Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2, raporton News24.

  • Mbyllet derbi, Real Madridi fiton tri pikët e “El-Classicos”

    Mbyllet derbi, Real Madridi fiton tri pikët e “El-Classicos”

    Skuadra e Real Madridit ka shënuar fitore 2:1 ndaj Barcelonës, në ndeshjen e javës së dhjetë në La Liga.

    Tri golat e këtij takimi u shënuan në pjesën e parë

    Fillimisht ishte Kylian Mbappe që shënoi në minutën e 22’të për t’ia dhënë epërsinë skuadrës së tij.

    Në minutën e 38’të, Fermin Lopez barazoi shifrat në 1:1.

    Por menjëherë pas pesë minutash, Jude Bellingham shënoi për 2:1, që ishte goli i fundit në këtë duel.

    Në pjesën e dytë, dy skuadrat patën raste për gol… madje Mbappe huqi edhe penallti.

    Me këtë fitore, Real Madrid shkon në kuotën e 27 pikëve në pozitën e parë, kurse Barcelona mbetet në pozitën e dytë me 22 pikë

  • Presheva vazhdon të mbetet në fund të listës me pagat më të ulëta në rrethin e Pçinjës

    Presheva vazhdon të mbetet në fund të listës me pagat më të ulëta në rrethin e Pçinjës

    Sipas të dhënave zyrtare të Zyrës Republikane të Statistikave të Serbisë (RZS), paga mesatare neto në komunën e Bujanocit gjatë muajit gusht 2025 ka qenë 77.766 dinarë, apo rreth 660 euro, derisa Presheva vazhdon të mbetet komuna me pagat më të ulëta, me një mesatare mujore prej vetëm 72.187 dinarësh (rreth 610 euro).


    Kjo shumë është për gati 28 mijë dinarë më e ulët se mesatarja republikane për të njëjtin muaj, e cila arrin në 105.590 dinarë.

    Ndërkohë, paga mesatare në Bujanoc ka qenë 83.535 dinarë, që do të thotë se gjysma e të punësuarve në këtë komunë kanë marrë pagë deri në këtë shumë.

    Presheva me pagën më të ulët në rajon

    Në Qarkun e Pçinjës, Presheva vazhdon të mbetet komuna me pagat më të ulëta, me një mesatare mujore prej vetëm 72.187 dinarësh (rreth 610 euro). Pas saj renditet Vranjska Banja me 74.568 dinarë.

    Në anën tjetër, banorët e Surdulicës kanë pasur pagat më të larta në këtë qark, me një mesatare prej 84.614 dinarësh, ndërsa paga mesatare në të gjithë Qarkun e Pçinjës ka qenë 81.605 dinarë.

  • Edhe 6 ditë duhet ti vendosni gomat e dimrit dhe paisjet dimërore në veturë

    Edhe 6 ditë duhet ti vendosni gomat e dimrit dhe paisjet dimërore në veturë

    Në Serbi sipas Ligjit për sigurinë në trafikun rrugor, nga 1 nëntori deri më 1 prill është detyrim të keni të katër gomat dimërore në automjetin tuaj, jo vetëm në rrotat që japin fuqinë, por të katër gomat dimërore nëse në rrugë ka borë, akull ose ngrica.

    Në Serbi, shoferët që nuk kanë goma dimërore gjatë periudhës së detyrueshme (1 nëntor – 1 prill) dhe qarkullojnë në rrugë ku ka borë, akull ose ngrica, mund të gjobiten sipas Ligjit për sigurinë në trafikun rrugor.

    Detajet:

    • Gjobat variojnë, por zakonisht shkojnë nga 3,000 deri 20,000 dinarë (rreth 25–170 euro).
    • Përveç gjobës, policia mund të ndalojë automjetin deri sa të vendosen gomat dimërore.
    • Në rast aksidenti, mungesa e gomave dimërore mund të rrisë përgjegjësinë e shoferit dhe të ndikojë në mbulimin nga sigurimi.
  • Ragmi Mustafa nga vizita në SHBA: Lugina të përfshihet në agjendën politike amerikane

    Ragmi Mustafa nga vizita në SHBA: Lugina të përfshihet në agjendën politike amerikane

    Dallas, SHBA – 23 tetor 2025
    Zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës dhe kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftoi fillimin e ditës së parë të lobimit të delegacionit nga Lugina e Preshevës për çështjen e rënduar të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

    Delegacioni e nisi agjendën e tij në Dallas, ndërsa vizita do të vazhdojë në New York, ku përfaqësuesit e Luginës do të takohen me kongresistë dhe senatorë amerikanë.

    “Sot fillon dita e parë e lobimit të delegacionit të Luginës së Preshevës për çështjen e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Para kongresistëve dhe senatorëve amerikanë do të paraqesim me fakte bindëse shkeljet flagrante që po ndodhin ndaj shqiptarëve në këto tri komuna nga shteti i Serbisë,” deklaroi ai.

    Ai shtoi se Lugina e Preshevës duhet të përfshihet si prioritet në agjendën e SHBA-ve, ashtu si në të gjitha rastet ku Shtetet e Bashkuara angazhohen për zgjidhjen e krizave në botë.

    “Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti i bekoftë shqiptarët,” përfundoi zëvendëskryetari i komunës së Preshevës dhe kryetar i PDSH-së.

  • Vizitë bashkëpunimi ndërmjet Bibliotekës “Mehmet Jusufi” dhe Bibliotekës Nacionale “Koço Racin” në Tetovë

    Vizitë bashkëpunimi ndërmjet Bibliotekës “Mehmet Jusufi” dhe Bibliotekës Nacionale “Koço Racin” në Tetovë

    Më datë 21 tetor 2025, stafi i Bibliotekës “Mehmet Jusufi” realizoi një vizitë zyrtare në Bibliotekën Nacionale “Koço Racin” në Tetovë.
    Kjo vizitë vjen si rezultat i ndërtimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me synimin për të shkëmbyer përvoja, ide dhe praktika të mira në fushën e bibliotekarisë dhe shërbimeve për lexuesit.

    Gjatë takimit, përfaqësuesit e të dyja bibliotekave zhvilluan një shëtitje në ambientet e Bibliotekës Nacionale, duke u njohur nga afër me organizimin e brendshëm, fondin libror, teknologjinë në shërbim të lexuesve, si dhe iniciativat e ndryshme kulturore e edukative që ajo ofron.

    U zhvilluan diskutime të frytshme rreth mënyrave për të avancuar bashkëpunimin institucional përmes aktiviteteve të përbashkëta, ekspozitave, promovimeve të librave dhe projekteve që synojnë promovimin e leximit, sidomos tek të rinjtë.

    Në shenjë falënderimi dhe respekti për pritjen e ngrohtë, drejtoresha e Bibliotekës “Mehmet Jusufi”, znj. Albina Azizi, i dhuroi drejtorit të Bibliotekës Nacionale “Koço Racin”, z. Binas Pajaziti, një fotografi artistike të qytetit të Preshevës, si simbol të miqësisë dhe bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy institucioneve.

    Takime të tilla janë të një rëndësie të veçantë, pasi ato jo vetëm që forcojnë lidhjet ndërinstitucionale, por edhe kontribuojnë në zhvillimin profesional të stafit dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve për komunitetin lexues.