Lajme

Serbia nënshkruan marrëveshje me Kinën me vlerë 953 milionë eurosh

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi gjatë vizitës në Kinë se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kinës janë në interes të ndërsjellë, duke theksuar se vetëm brenda një dite janë nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 953 milionë eurosh.

Vuçiq tha se këto marrëveshje paraqesin një sukses të madh ekonomik për Serbinë, pasi sipas tij, projektet e dakorduara do të mundësojnë hapjen e rreth 1.700 vendeve të reja të punës.

Gjatë qëndrimit në Kinë, presidenti serb vizitoi qendrën inovative të kompanisë kineze Mint, ku njoftoi se Serbia pritet të bëhet vendi i parë në Evropë që do të prodhojë robotë humanoidë.

Ai bëri të ditur se prodhimi i këtyre robotëve në Serbi mund të nisë brenda më pak se dy muajsh, duke shtuar se robotët humanoidë dhe të ashtuquajturit “robo-dog” do të përdoren për aktivitete të ndryshme të përditshme, përfshirë ndihmën në shtëpi dhe edukimin e fëmijëve.

Vuçiq u shpreh i impresionuar nga demonstrimi i teknologjisë kineze, ndërsa veçoi momentin kur robotët humanoidë interpretuan vallen tradicionale serbe “Moravac”.

“Kur pashë robotët duke luajtur vallen tonë tradicionale, kuptova se teknologjia nuk është më vetëm çështje shkence dhe makinerish, por edhe mirëkuptim i traditës dhe shpirtit të një populli”, deklaroi ai.