Bota

Vjena shpallet qyteti më i gjelbërt në botë

Vjena është shpallur “Qyteti më i gjelbër në botë” në renditjen “10 qytetet më të gjelbërta të botës 2020”. Ky vlerësim u krijua nga agjencia konsulente kanadeze-amerikane “Resonance”. Kryeqyteti austriak la pas në renditje Mynihun, Berlinin dhe Madridin, ka njoftuar Bashkësia e qytetit të Vjenës ditën e mërkurë.

Për renditjen e “Qyteteve më të gjelbërta”, më shumë se 100 qytete në të gjithë botën u krahasuan me produkte vendore bazuar në kritere të tilla si: përqindja e parqeve dhe hapësirave të gjelbra publike në qytet, përdorimi i energjive të rinovueshme, cilësia e ajrit, ofertat e lira të transportit publik, rrugicat dhe trotuarë për këmbësorë dhe ofertat në tregjet.

Vjena shënon ngritje në krahasim me qytetet tjera me “Ide të freskëta për lëvizje dhe parqe publike” ndërkohë u tha se ishte një nga metropolet e pakta me një park kombëtar (Donau Auen) brenda kufijve të qytetit. “Vjena është gjithashtu me standardin evropian më të mirë për transportin publik”, citohen autorët e renditjes në njoftimin për shtyp, përcjell Albinfo Austria.

Renditja e “Resonance” u publikua me rastin e 50-të vjetorit të “Ditës së Tokës”. Agjencia publikon rregullisht raportin e “Qyteteve më të mira në botë”, mbi të cilin bazohet renditja “10 qytetet më të gjelbërta të botës 2020”.