Blog

  • Ragmi Destani jep dorëheqje nga kreu i KBI-së në Bujanoc

    Ragmi Destani jep dorëheqje nga kreu i KBI-së në Bujanoc

    Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Bujanoc, Ragmi Destani, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

    Me këtë rast, arsyet e dorëheqjes i ka sqaruar edhe përmes një postimi në Facebook.

    Postimi i Destanit

    NJOFTIM PËR DORËHEQJE

    Më 4 dhjetor 2025, në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Bashkësisë Islame në Bujanoc, kam dhënë dorëheqje nga detyra si Kryeimam i këtij këshilli.

    Në këtë detyrë jam qysh nga viti 1997 (28 vjet).

    I pakënaqur me gjendjen në Këshill dhe gjëra të tjera të cilat në mënyrë të zgjëruar ia kam dorëzuar kryetarit të këtij këshilli.

    E lus Zotin që gjithë atë që ma ka mundësuar me e bërë, të ma ketë pranuar në llogarinë e veprave të mira.
    Kurse i kërkoj falje Zotit për gjithë atë që nuk kam mundur ta e bëjë, ose kam gabuar gjatë kësaj periudhe.

    Ju përshëndes të gjithëve me selam.

    Ragmi Destani

  • Presheva me edicionin jubilar të festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare 2025”

    Presheva me edicionin jubilar të festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare 2025”

    Tradita teatrore shqiptare në Preshevë vazhdon me edicionin jubilar të festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare”, i cili këtë vit shënon 20 vjet nga themelimi.


    Festivali do të mbahet nga 15 deri më 20 dhjetor 2025, çdo mbrëmje në ora 19:00, në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” dhe Teatrin e Qytetit në Preshevë.

    Gjatë gjashtë netëve do të prezantohen trupa teatrore nga Presheva, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, me vepra dhe regjisorë të njohur të skenës shqiptare dhe europiane. Programi përfshin komedi të autorëve si Martin McDonagh, Yasmina Reza, Florian Zeller, Viktor Eftimiu, si dhe premiera të realizuara nga teatro të Tetovës, Gostivarit, Gjilanit dhe Tiranës.

    Ky edicion i 20-të pritet të sjellë atmosferë festive, diversitet artistik dhe një javë të plotë dedikuar artit të komedisë, duke e bërë Preshevën qendër të kulturës teatrore shqiptare në fundvit. Organizatorët ftojnë publikun të marrë pjesë dhe të mbështesë artin vendas dhe rajonal.

  • Mustafa: Në Washington D.C., në zemër të Capitol Hill, sot u shënua një moment historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës

    Mustafa: Në Washington D.C., në zemër të Capitol Hill, sot u shënua një moment historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës

    Në Washington D.C., në zemër të Capitol Hill, sot u shënua një moment historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për kauzën tonë të drejtë e shumëvjeçare. Në seancën dëgjimore të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, u prezantua Rezoluta e parë në historinë e Kongresit Amerikan dedikuar në mënyrë të veçantë çështjes së Luginës së Preshevës.

    Kongresisti Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, theksoi qartë se “ka ardhur koha që Serbia të mbahet përgjegjëse për diskriminimin etnik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, duke ngritur në nivelin më të lartë institucional të Shteteve të Bashkuara shqetësimet tona të dokumentuara ndër vite.

    Rezoluta i kërkon Departamentit të Shtetit të hartojë dhe paraqesë një raport të detajuar mbi shkeljet sistematike të të drejtave të shqiptarëve në Luginë, përfshirë:
    • pasivizimin e adresave, të cilin Kongresi e përkufizon si “spastrim etnik me mjete administrative”;
    • mosnjohjen e diplomave dhe pengesat e vazhdueshme në ushtrimin e të drejtave themelore;
    • mospërfaqësimin proporcional në institucionet shtetërore dhe organet publike;
    • si dhe praktika të tjera diskriminuese të konfirmuara nga organizata kredibile ndërkombëtare dhe vendore.

    Me këtë veprim, Kongresi Amerikan dërgon një mesazh të fuqishëm dhe të qartë:
    Lugina e Preshevës nuk është e harruar. Të drejtat e shqiptarëve janë çështje ndërkombëtare dhe nuk mund të vazhdojnë të shkelen pa pasoja.

    Ky është një hap i madh drejt drejtësisë, llogaridhënies dhe barazisë, dhe një dëshmi se kur zëri ynë është i bashkuar dhe i artikuluar me profesionalizëm, dëgjohet deri në forumet më të larta të botës demokratike.

    Ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë për kontributin jetik të z. Joseph DioGuardi, z. Faton Bislimi, si dhe të gjithë miqve, aktivistëve e profesionistëve që me përkushtim të palodhur e bënë të mundur këtë arritje historike, përfshirë edhe takimin tonë me Kryetarin Self në Dallas në tetor 2025.

    Sot u hap një kapitull i ri për Luginën e Preshevës.
    Sot u dëshmua se drejtësia mund të vonojë — por kur vjen, vjen me zë të madh.

  • Çështja e Luginës së Preshevës diskutohet në Kongresin amerikan, Keith Self e quan të patolerueshëm diskriminimin ndaj shqiptarëve

    Çështja e Luginës së Preshevës diskutohet në Kongresin amerikan, Keith Self e quan të patolerueshëm diskriminimin ndaj shqiptarëve

    Çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është bërë zyrtarisht pjesë e agjendës së politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

    Kjo ndodhi sot në një dëgjim kongresional në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit, në Nënkomitetin për Evropë, të udhëhequr nga kongresisti Keith Self.

    Gjatë fjalës së tij, Self deklaroi se pasivizimi administrativ dhe diskriminimi sistematik i shqiptarëve etnikë nga autoritetet serbe janë të papranueshme dhe përbëjnë rrezik të vërtetë për destabilizimin e rajonit, veçanërisht në kontekstin e agresivitetit të Serbisë ndaj Kosovës.

    Ky qëndrim mori mbështetje të gjerë nga dëshmitarë dhe anëtarë të ndryshëm të Kongresit.

    Në seancë paraqitën qëndrimet e tyre:

    Edward P. Joseph (Johns Hopkins SAIS)
    Luke Coffey (Hudson Institute)
    Max Primorac (Heritage Foundation)
    Disa kongresistë nga të dyja partitë u pajtuan se politika e jashtme amerikane duhet të udhëhiqet nga standarde të qarta dhe se çështja e Luginës së Preshevës nuk mund të anashkalohet më.

    Në diskutim u nënvizua gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet të insistojnë në njohjen e Kosovës nga Serbia, duke theksuar se Kosova mbetet aleati më i besueshëm i SHBA-ve në Ballkan.

  • KKSh: Vazhdon puna e komisioneve për vlerësimin e projekteve të mbështetura nga Qeveria e Kosovës

    KKSh: Vazhdon puna e komisioneve për vlerësimin e projekteve të mbështetura nga Qeveria e Kosovës

    Këshilli Kombëtar Shqiptar ka bërë të ditur se po vazhdon me ritëm të plotë puna e komisioneve profesionale për vlerësimin e projekteve të thirrjeve publike të financuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Sipas kryetarit të KKSH-së, Enkel Rexhepi, tashmë janë përmbyllur shumica e procedurave për tre nga thirrjet kryesore: Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore; Përdorimin Zyrtar të Gjuhës Shqipe dhe Simboleve; si dhe thirrjen për Shkollat dhe Organizatat Sportive.

    Rexhepi theksoi se komisionet janë të përbëra nga profesionistë të fushave përkatëse, të cilët kanë punuar me përkushtim dhe pavarësi të plotë gjatë procesit të vlerësimit.

    Komisioni i Kulturës përbëhet nga:

    • Kastriot Saqipi – regjisor
    • Leonora Pajaziti – aktiviste e shoqërisë civile dhe ish-udhëheqëse OJQ-sh
    • Qendrim Hetemi – udhëheqës i Shtëpisë Botuese “Albas”

    Komisioni për Përdorimin Zyrtar të Gjuhës dhe Simboleve:

    • Kujtim Kadriu – jurist, sekretar në Komunalia
    • Fadil Aliti – jurist, ish-shef i administratës në Bujanoc
    • Refik Shemsedini – jurist në administratë

    Komisioni për shkollat dhe organizatat sportive:

    • Sedat Pajaziti – ish-futbollist dhe trajner
    • Berina Kamberi – profesoreshë e edukatës fizike dhe trajnere
    • Nijazi Nuhiu – profesor në OKF, trajner i volejbollit dhe fitnesit

    Në ditët në vijim pritet të nisë edhe vlerësimi i projekt-propozimeve në fushën e informimit, ku komisioni përkatës përbëhet nga gazetarë të njohur të Luginës:
    Alban Selimi (RTK), Faruk Daliu (Bujanoc) dhe Hasan Hasani (Preshevë).

    Rexhepi siguroi se puna e çdo komisioni është “tërësisht e pavarur”, me secilin anëtar që vlerëson individualisht përmes fletës standarde të vlerësimit, duke analizuar kapacitetin institucional të aplikantit, relevancën e projektit, buxhetin e planifikuar dhe përputhjen me prioritetet e thirrjes.

    “Ajo që marr përsipër të them me përgjegjësi të plotë është se çdo organizatë do të vlerësohet pa asnjë ndikim politik, vetëm mbi cilësinë e projektit dhe punën e dëshmuar. Përkatësia politike nuk do të jetë as avantazh e as disavantazh,” – u shpreh ai.

    Pas përfundimit të të gjitha fazave të vlerësimit, KKSH do të publikojë listën e përgjithshme me pikët e çdo organizate, grupi joformal apo individi aplikues.

    Kryetari Rexhepi falënderoi të gjithë anëtarët e komisioneve për profesionalizmin dhe angazhimin e tyre, si dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen institucionale që ka mundësuar dorëzimin e 177 projekteve, të cilat synojnë zhvillimin kulturor, arsimor dhe shoqëror të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak.

    “Faleminderit Kosovë,” përmbylli ai.

  • Arrestohet ish-përfaqësuesja e BE, Federica Mogherini

    Arrestohet ish-përfaqësuesja e BE, Federica Mogherini

    Ish përfaqësuesja e BE, Federica Mogherini është ndaluar nga forcat e rendit të Belgjikës, në kuadër të disa hetimeve të kryera nga Prokuroria Evropiane në Bruksel mbi një mashtrim të dyshuar që lidhet me programet e trajnimit të financuara nga BE për diplomatët e rinj, përcjell albinfo.ch.

    Lajmin e raporton gazeta belge Le Soir.

    Në kuadër të hetimit, sot janë kryer kontrolle në selinë e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) në Bruksel dhe në disa ndërtesa të Kolegjit të Europës në Bruges. 

    Thuhet se tre persona janë ndaluar, mes tyre edhe Mogherini, rektore e Kolegjit të Europës, ish-Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe ish-ministre e Jashtme në qeverinë Renzi.

    Hetimi lidhet me dyshime për favorizime dhe konkurrencë të padrejtë në dhënien nga EEAS e një programi nëntëmujor trajnimi për diplomatët e ardhshëm evropianë drejt Kolegjit prestigjioz të Europës. 

    Veprat e dyshuara i përkasin periudhës 2021–2022 dhe, sipas Prokurorisë Evropiane, akuzat e mundshme përfshijnë: “mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional”.

  • Gjermania, plan sekret lufte/ U hartua nga 12 oficerë të lartë, gati 800 mijë trupa përballë kërcënimit rus

    Gjermania, plan sekret lufte/ U hartua nga 12 oficerë të lartë, gati 800 mijë trupa përballë kërcënimit rus

    Gjermania ka zhvilluar një plan sekret ushtarak, për t’u përgatitur ndaj një konflikti të mundshëm me Rusinë.

    Mediat kanë zbuluar një dokument prej 1.200 faqesh që parashikon mobilizimin e deri në 800 mijë trupave gjermane, amerikane dhe të NATO-s në frontin lindor.

    Sipas mediave gjermane, plani nisi të hartohej rreth dy vjet e gjysmë më parë në bazën ushtarake Julius Leber në Berlin, ku 12 oficerë të lartë punuan në mënyrë konfidenciale për të simuluar një skenar lufte. Sot, ai plan po testohet përmes ushtrimeve praktike në të gjithë vendin.

    Dokumenti përcakton rrugët e transportit për trupa dhe pajisje, përfshirë porte, lumenj, hekurudha e autostrada. Ekspertët theksojnë se, për shkak të pozitës gjeografike dhe barrierave natyrore si Alpet, çdo përforcim i NATO-s drejt lindjes duhet të kalojë patjetër përmes Gjermanisë, duke e bërë atë shtyllën kryesore logjistike të aleancës.

    Plani përfshin një qasje të re “të gjithë shoqërisë”, që bashkon sektorin civil dhe ushtarak, duke u bazuar në doktrinat e Luftës së Ftohtë, por të përditësuara me sfidat moderne si infrastruktura e vjetërsuar dhe ushtria më e vogël.

    Zyrtarët gjermanë parashikojnë se Rusia mund të arrijë kapacitete të plota për të sulmuar një vend të NATO-s rreth vitit 2029, por veprimet e fundit të Kremlinit, përfshirë spiunazhin, sabotimet dhe shkeljet e hapësirës ajrore, tregojnë se rreziku mund të vijë më herët.

    Analistët theksojnë se edhe një armëpushim i përkohshëm në Ukrainë do t’i jepte Moskës mundësi të zhvendoste fokusin drejt vendeve të Evropës Lindore.

    Ushtrimet e fundit në Gjermaninë lindore përfshinë ngritjen e një kampi të përkohshëm për 500 ushtarë me të gjitha kapacitetet brenda 14 ditësh. Stërvitjet evidentuan pengesa në terren, nevojën për semaforë të rinj përgjatë korridoreve ushtarake dhe sfida të shumta në lëvizjen e mjeteve të rënda.

    Infrastruktura gjermane, dikur shtylla e operacioneve të Luftës së Ftohtë, është dëmtuar rëndë: 20% e autostradave kanë nevojë për riparime, ¼ e urave nuk i përballojnë më ngarkesat ushtarake dhe portet në Detin e Veriut e Baltik kërkojnë 15 miliardë euro investime. Kancelari gjerman Friedrich Merz paralajmëroi se Evropa po hyn në një epokë të re të pasigurisë. “Kërcënimet janë reale. Nuk jemi në luftë, por nuk jetojmë më në paqe”, ka thënë ai. /tch

  • Triumfon tërnocasi Shefat Isufi, mposhti boshjakun Alunoviq

    Triumfon tërnocasi Shefat Isufi, mposhti boshjakun Alunoviq

    Rikthehet fuqishëm boksieri tërnoca Shefat Isufi

    Triumf i boksierit nga Tërnoci pas 6 raundesh luftë ndaj kundërshtarit Rasim Alunoviq nga Bosnja dhe Hercegovina.

    Meçi i përkiste kategorisë gjysmë të rëndë dhe u zhvillua në Mynih të Gjermanisë.

  • U nda nga jeta në moshën 40-vjeçare, përcillet nesër për në banesën e fundit Shpat Kasapi/ Homazhet do të mbahen në Tetovë

    U nda nga jeta në moshën 40-vjeçare, përcillet nesër për në banesën e fundit Shpat Kasapi/ Homazhet do të mbahen në Tetovë

    Këngëtari i njohur Shpat Kasapi ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare, si pasojë e një ataku në zemër, teksa ditën e nesërme do të përcillet për në banesën e fundit.

    Mësohet se ceremonia mortore e këngëtarit do të nisë pasditen e së dielës, ku të afërmit, kolegët miqtë edhe publiku do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e fundit artistit.

    Homazhet do të zhvillohen nesër në orën 11:00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ndërsa procesioni mortor do të zhvendoset në varrezat e qytetit, ku varrimi i Kasapit është caktuar të mbahet në orën 14:00.

  • Pensionet rrezikojnë qeverinë gjermane

    Pensionet rrezikojnë qeverinë gjermane

    Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar këtë të premte, më 28 nëntor, se koalicioni i tij ka rënë dakord të kryejë një reformë të plotë të pensioneve vitin e ardhshëm, një lëvizje që ka për qëllim të adresojë shqetësimet mbi një projektligj të përkohshëm për pensionet që kishte kërcënuar të destabilizonte qeverinë e tij.

    Forumi rinor i konservatorëve të Merz-it kishte deklaruar se nuk do ta mbështeste projektligjin e ri, i cili synon të ruajë nivelet aktuale të pensioneve në raport me të ardhurat, duke inkurajuar njerëzit të punojnë më gjatë, pasi kjo do t’i linte gjermanët e rinj të mbartnin kostot.

    Vetoja e tyre ndaj një prej kompromiseve kryesore të konservatorëve me partnerin e koalicionit, Social Demokratët (SPD), mund të bllokonte miratimin e tij në parlament, duke shkaktuar një krizë besimi në qeveri vetëm gjashtë muaj pas marrjes së pushtetit.

    Koalicioni i Merz-it ka një shumicë prej 12 votash në parlament, gjë që e bën të ndjeshëm ndaj dezertimeve. Të rinjtë konservatorë mbajnë 18 vota.

    Merz pret që projektligji të miratohet javën e ardhshme

    Megjithatë, kancelari gjerman tha se ishte i bindur që parlamenti do ta miratonte projektligjin javën e ardhshme, duke qenë se ai do të shoqërohej me një rezolutë që njeh nevojën për një reformë më të thellë vitin e ardhshëm, siç u ra dakord nga liderët e koalicionit gjatë takimit të tyre të përmuajshëm që u zhvillua të enjten.

    Pres miratim,” tha Merz, i cili foli me të rinjtë konservatorë më herët të premten, edhe pse ata nuk kishin premtuar se do ta mbështesnin projektligjin e tij.

    Konservatorët e Merz-it dhe SPD-së premtuan të siguronin më shumë stabilitet kur formuan “martesën e interesit” pas kolapsit të koalicionit të mëparshëm trepalësh të udhëhequr nga socialdemokrati Olaf Scholz.

    Por koalicioni i Merz-it është përballur me tensione që nga dita e parë, kur ai u bë kancelari i parë gjerman që dështoi të zgjidhej në raundin e parë të votimit.

    Ndërsa liderët e koalicionit kanë një marrëdhënie të mirë pune, ata po luftojnë për të mbajtur ligjvënësit e tyre nën kontroll. Shumë veta brenda bllokut konservator të Merz-it janë të zhgënjyer nga shkalla e kompromisit të nevojshëm, kur fushata e tyre kishte premtuar ndryshim radikal.

    Disa analistë politikë thonë se Merz, i cili nuk kishte mbajtur kurrë një post qeveritar më parë, është fajtor për sjelljen si një drejtor ekzekutiv, në vend që të punonte fort për të fituar mbështetjen e fraksioneve të ndryshme brenda koalicionit të tij.

    Megjithatë, pensionet dhe drejtësia ndërbreznore po kthehen në pika kyçe politike në mbarë Europën, teksa popullsitë plaken dhe financat publike ngushtohen.

    Franca, për shembull, është detyruar të pezullojë një reformë të rëndësishme të pensioneve deri pas zgjedhjeve të vitit 2027, duke sakrifikuar një nga arritjet kryesore të presidentit Emmanuel Macron për të siguruar mbijetesën e qeverisë.