Opinione

Latif Mustafa: Solidarizohem me znj.Sinani duke mos harruar se, ajo është një vajzë, një grua, një nënë e dikujt

S’mund ta imagjinoj dot se si politika e katandisur dhe po e stërkeq individin duke e dehumanizuar atë deri në zhveshjen nga gjithçka që mund të quhet njerëzore. Aq më tepër, s’mund ta besoj dot, se në çfarë çmendurie dhe poshtërimi është katandisur Presheva, rrëzë zgripi nën këmbët e të cilëve çdo ditë thërrmohet dhe bjerret qenia njerëzore. Ish kryetares së komunës së Preshevës, tani më zërit më të fuqishëm opozitar brenda kuvendit komunal, znj. Ardita Sinani, iu është postuar një fotografi ku ajo shihet duke lëvizur korridorit në kërkim ndihme për vjehrrën e saj, e cila shihet e ulur në stolin përbri murit të korridorit.

Fotoja është një ekstrakt i nxjerrë nga kamerat e sigurisë dhe është postuar për t’iu kundërpërgjigjur kritikës së saj që ajo ka shprehur në kuvend për shtëpinë e shëndetit. Kjo foto është postuar nga drejtori i kësaj shtëpie shëndetit, njëherit edhe oponent i saj politik. Por, kjo kundërpërgjigje ndaj znj. Ardita, është shantazh ndaj një gruaje dhe nëne shqiptare, shkelje e dinjitetit të një lokeje në hall dhe shpërfaqje e një çmendurie që i tejkalon të gjitha kufijtë e etikës politike dhe njerëzore. Gjendje e rëndë kjo, e dhembshme. Andaj, unë solidarizohem me znj. Arditë, me plot qenien time, duke mos harruar se, ajo është një vajzë, një grua, një nënë e dikujt.

Pa harruar më të rëndësishmen, “ajo është Ajo”. Uroj që drejtori për të dëshmuar se është mjek i vërtetë ruan betimin dhe privatësinë e njerëzve; për të dëshmuar se është njeri dhe mund të gabojë; dhe mbi të gjitha për të dëshmuar se politikja s’mund ta vras njerëzoren, të kërkojë falje publike dhe të ofrojë dorëheqje. Kurse shefi i tij, të paktën për të vetmën herë deri më sot, të dëshmojë se është “europian” duke u distancuar nga veprimi i bashkëpunëtorit të tij dhe duke e shkarkuar atë nga pozita e drejtorit. shkruan Latif Mustafa gazetarë.