KDNJ ka mbajtur tryezën/ “Rëndësia e transparencës në institucionet publike, në harmonizim me kapitullin 23, të procesit për anëtarësim të Serbisë në BE”.

Mosplotësimi dhe moszbatimi i ligjeve, burokracia dhe mungesa e vullnetit politik cenojnë transparencën në institucionet publike, kështu u tha sot në tryezën e mbajtur nga KDNJ. 
Këshilli për të Drejtat e Njeriut ka mbajtur të enjten në Preshevë tryezën me titull : “Rëndësia e transparencës në institucionet publike, në harmonizim me kapitullin 23, të procesit për anëtarësim të Serbisë në BE”.
Drejtuesit e pushtetit lokal, shërbyesit civilë, përfaqësuesit e partive politike dhe të shoqërisë civile kanë parashtruar me këtë rast nevojën për plotësimin dhe përmirësimin e kuadrit aktual ligjor.
Megjithë përparimin relativ, moszbatimi i ligjeve në fuqi u identifikua si problem aktual, në përmirësimin e transparencës në nivelet e ndryshme të qeverisjes.
Burokracia dhe mungesa e vullnetit politik, sidomos nga organet e nivelit republikan, mbeten po ashtu disa nga arsyet themelore të mungesës së transparencës në vendimet ekzekutive dhe legjislative.
Pjesëmarrësit e tryezës kërkuan një përkushtim më të madh të organeve të pavarura shtetërore, që janë përgjegjëse për rritjen e transparencës të institucioneve publike, sidomos  në komunat ku jetojnë pakicat kombëtare.
Tryeza e sotme është mbështetur nga Ambasada e Gjermanisë në Beograd, në kuadër të projektit: “Monitorimi dhe promovimi i të drejtave të pakicës shqiptare në Luginë të Preshevës”.