Lajme

Kurti: Shtesat për fëmijë, sigurimi shëndetësor… do ta bëjnë Kosovën shtet social

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur sot një takim me qytetarët e Prishtinës.

Ai në këtë takim ka theksuar se nëse vjen në krye të qeverisë do të angazhohet në luftën kundër korrupsionit të lartë e madje do ta bëjë Kosovën shtet social.

“Ndër prioritetet tona e theksojmë luftën kundër korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar që ka shkaktuar viktima të paqes dhe ka pamundësuar investime në ekonomi dhe punësimin e të rinjve. Na nevojitet Vettingu në prokurori, gjyqësi, polici dhe inteligjencë. Në prioritete tona e theksojmë edhe lidhjen midis ekonomisë dhe arsimit. Kemi mbi 20 mijë vajza e djem që kanë mbaruar universitetin dhe nuk gjejnë askund punë”, theksoi ai.

Kurti ka thënë se shtesat për fëmijë, sigurimi shëndetësor dhe rritja e numrit të inspektorëve do ta bëjnë Kosovën shtet social, për të cilën do të angazhohet qeveria që ai do ta udhëhiqte.