LajmeOpinione

INTERVISTË, VALON ARIFI: LIDERËT E LUGINËS JANË SHUMË JOSERIOZË PËR NJË ÇËSHTJE KAQ SERIOZE – “KORRIGJIMI” I KUFIJVE

Valon Arifi është aktivist per te drejtat e njeriut ne në Preshevë. Duket se në rajonin e tij është i vetëm në kundërshtimin e idesë për korrigjimin e kufirit, me të cilin “perflitet” se Lugina do t’i bashkëngjitej Kosovës. Ai thotë se ky është një plan i Serbisë së Millosheviqit, të cilin tani po e realizojnë pasardhësit e tij në pushtetin serb. Arifi mendon se kjo është vetëm pikënisje – kjo do të vazhdojë në BeH dhe vende tjera të Ballkanit, duke prodhuar konflikte të përhershme. Për politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës thotë se janë aq shumë joseriozë që të merren me këtë çështje shumë serioze. Sipas Arifit, politikanët shqiptarë janë me fjalë në Kosovë, por me mendje në Serbi.

KDP: Si e vlerësoni idenë e korrigjimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë?

Valon Arifi:   Fillimisht, le ta pranojmë që si i ide nuk është e re, por ekziston që më herët si “zgjedhje për zgjidhjen” e problemit politik midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Ky propozim është ideuar mirë dhe që më herët është propozuar nga pala serbe. Personalisht, parimisht jam kundër, pikë së pari për shkak te “çbërjes“ së kufijve kushtetues te Republikës së Kosovës, e më pastaj edhe për arsye se unë mendoj që si kërkesë e ardhur nga pasardhësit e politikanëve të viteve të 90’ta, e që sot udheheqin me qeverinë serbe, ato janë tendencioze për rajonin dhe shkojnë përtej Kosovës.

 

KDP: Ku e bazoni qëndrimin tuaj se shqiptaret e Luginës duhet të jenë pjesë e Serbisë përderisa përfaqësuesit politik thonë se Serbia e ka harruar këtë pjesë?

Valon Arifi: Nëse flasim për përfaqësuesit lokal poitik atëherë nuk do humbja kohë të merrem me “të pabërat” e tyre karshi qeverise serbe, sikur edhe karshi qytetarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Liderët lokal të Luginës janë shumë joseriozë për çështje kaq serioze, siç është “korrigjimi” kufijve. Unë vazhdoj të mendoj se shqiptarët e Luginës janë të diskriminuar nga qeveria serbe, e te harruar nga ajo e Tiranës dhe e Prishtinës. Por, unë mendoj që shqiptaret në Serbi, veçanërisht në Luginën e Preshevës duhet të luftojnë për te drejtat, duke forcuar bashkëpunimin me rrymat progresiste në Serbi, sikur edhe duke u bashkuar me pakicat tjera rezistuese ndaj Qeverisë Serbe. Decentralizimi i Serbisë do t’u mundësonte shqiptarëve të Luginës së Preshevës një ”autonomi kulturore” brenda Serbisë, si një ndër  zgjidhjet te cilat unë i shoh për shqiptarët në Serbi. Unë besoj se ne duhet te jemi bashkëpunues me qytetarët e nacionalitetit serb, por rezistentë ndaj një qeverie që kërkon “diçka” nga Republika e Kosovës që rrënjët i ka në të ’90’tat e Millosheviqit.

 

KDP: A mund të ketë pasoja në rajon ripërvijimi i kufijve?

Valon Arifi: Unë mendoj se qëllimi i “tutorëve” të qeverisë së Serbisë është ridefinimi i kufijve në Ballkan. Kjo do të përfshinte Republikën Serbe të Bosnjës, në rend të parë, dhe mbase do krijonte edhe destabilitet të rajonit në tërësi. Kjo nuk do të ndodhte menjëherë, por pas një periudhe të caktuar.

 

KDP: Si e shihni ju zgjidhjen e problemit me veriun të Kosovës dhe atë të Luginës?

Valon Arifi: Per mendim tim, ne të Luginës dhe serbet e veriut të Kosovës dallojmë shume. Dallojmë shkaku i paaftësisë sonë, veçmas të liderëve politik lokal dhe mbase edhe vete Prishtinës zyrtare. Qeveria serbe është fakt që kontrollon edhe territorin por edhe institucionet kryesore në Luginë të Preshevës, derisa Kosova s’është e aftë të shtrijë sovranitetin e saj në veri, gjë të cilën gabimisht e kane toleruar kaq gjatë.

Unë jam nga ata që mendoj se qeveria Kosovës duhet të fillojë bashkëpunimin e drejtpërdrejt me qytetaret e saj serb të veriut, e jo me “të fortit” që e kontrollojnë veriun. Është edhe vete kushtetuta e Republikës së Kosovës që privilegjon serbet e Veriut me ulëse në Parlament, me pjesëmarrje në qeveri…, deri sa është qeveria serbe që shqiptarëve në Luginë nuk u garanton asgjë, por përkundrazi – i mohon te drejtën në arsim, flamur, informim, integrim etj.

Do te tingëllojë mbase edhe keq, por serbet e veriut të përkrahur nga qeveria serbe i kane rezistuar çdo gjëje që ka ardhur nga Prishtina, derisa ne në Luginë, të harruar nga qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë, as nuk kemi provuar të bëjmë më të voglën rezistence ndaj Beogradit zyrtar.

 

KDP: Pse te gjitha partitë politike në Luginë janë për bashkim me Kosovën? Ku buron ky përkushtim – nga refuzimi i Serbisë ndaj shqiptareve, nga joshja e politikës së Kosovës apo nga vullneti i realtë i shqiptarëve të Luginës?

Valon Arifi: Do ju gënjej nëse them se Prishtina o Tirana ka pasur ndikim në politikën lokale të Preshevës. Fatkeqësisht, një gjë e tillë s’ka ndodhur. “Sektet” tona politike, apo siç ju po i quani ju “parti”, për mua kanë dështuar në gjithçka që ka të bëjë me interesin shqiptar në Luginë. Fakti qe janë aq shumë të polarizuara njëra me tjetrën të bën të kuptosh edhe pse jemi ne këtë gjendje. Ato “duan” t’i bashkohen Kosovës publikisht, por ky përcaktim harrohet kur duan të “kapin” pozita politike në Serbi. Kjo për mua është standard i dyfishtë dhe si i tillë i nxjerr ato “me fjalë në Kosovë, me mendje në Serbi”.

Mund edhe t’i shihni veprimet e tyre politike që prej pas konfliktit e deri më sot dhe ta kuptoni se pse e them këtë. Politika jonë, po e ripërsëris, ka qene dhe ngelet zhgënjyese për ata qe i njohin rrethanat në Luginë të Preshevës. Unë mund ta them hapur se shqiptarët e Bujanocit, Preshevës e Medvegjës, shumica janë me zemër edhe me mendje për bashkim me Kosovën. Kjo është dëshirë e kamotshme e shqiptareve këtu, të cilën e pranoj dhe e respektoj komplet. Por, një gjë të tillë nuk ua pranoj përfaqësuesve tanë politik sepse pak ose aspak kane kontribuar për këtë bashkim. Edhe nëse ndodh ai bashkim do të ndodh si meritë të qytetarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, e jo për shkak të partive tona politike, siç ato duan te duket sot.

U përulem shumë veprimtarëve e aktivistëve politik të kësaj treve, të cilëve mbase Beogradi zyrtar ua ka mohuar edhe “jetën” në Preshevë, por aspak respekt për ata qe “Bashkimin” ,”Flamurin”  e “Kombin” e përdorin për folklor politik, votë, apo për ku e di çfarë interesi të tyre.

Duke qenë aktivist, si individ një gjë do t’i kisha uruar Kosovës – të mos ndahet në kufijtë qe i propozon Beogradi zyrtar dhe të bashkohen politikisht në përballjen e fundit politike me Serbinë, nga ku vjen edhe e shumëpritura “njohje” e republikave te ndërsjella.

As Albin Kurti, as Hashim Thaçi e askush tjetër nuk guxon t’i japë të drejtën vetes të krijojë konflikte të brendshme politike në Kosovë, në një kohë në të cilën bota kërkon zgjidhje të “problemit”. Shteti para pushtetit – tingëllon si parullë populiste, por është e domosdoshme për të gjithë ne.