Lajme

Haradinaj thotë se Mini-Schengeni ballkanik do ta rriste ndikimin e Rusisë e Kinës në rajon

Kosova nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të reja, porse duhet të shkurtohet afati i ankesave për subjektet politike dhe të zbatohet vullneti i popullit.

Kështu ka deklaruar kryeministri në detyrë i vendit, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media gjatë së martës, pas takimit me ministrin italian të Mbrojtjes, raporton KTV.

Ai ka theksuar se zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë zgjedhjet më të mira në vend, derisa ka shtuar se para kalimit në zgjedhje të reja, duhet të bëhet reforma zgjedhore.

Në këtë konferencë, Haradinaj ka përmendur edhe liberalizimin e vizave, duke thënë se deri në fund të vitit pritet të përmbyllet procesi për marrjen e një vendimi për vizat.

Ai ka folur edhe për çështjen e Mini-Schengenit ballkanik, të cilin ai e ka quajtur si zgjerim të influencës ruse në Ballkan.

Kryeministri në largim i vendit konferencën për media e mbylli duke thënë se Kosova nuk ka interes që të punojë e ndikuar nga bashkëpunimi mes Rusisë dhe Kinës, që në qendër të programit të tyre e vendosin Beogradin.