Lajme

Hapet xhamia “Tulipan” në Zvicër nga shqiptarët, kushtoi miliona euro

Në prag të festës së Fitër Bajramit, saktësisht në Natën e Kadrit, i hapi dyert një xhami për të qenë në dispozicion të besimtarëve shqiptarë, shkruan albinfo.ch.

Duke qenë se shumica dërmuese e shqiptarëve i përkasin fesë myslimane, mërgimtarët nga shteti i Zvicrës investuan në ndërtimin e një xhamie shumëdimensionale, e qujatur me emrin “Tulipan”.

Sipas kryetarit të kësaj qendre, Azir Jusufi, në ndërtimin e kësaj xhamie kontribuuan shqiptarët me rreth 4 milionë euro për ndërtimin e saj, por edhe duke punuar vullnetarisht, rreth 13 mijë e 500 orë.

Vlen të theksohet se ndërtimi i kësaj xhamie është bërë në qytetin Reinach, në kantonin Argau.

E veçanta e kësaj ndërtese nuk është vetëm dizajni i saj i punuar në detaje dhe delikatesë, por edhe funksionaliteti që kryen në disa fusha tjera, siç është: një çerdhe për fëmijë, bibliotekë, qendër kulturore, restaurant, zyra dhe parking nëntokësor, shkruan tutje albinfo.ch.

Kryetari i kësaj qendre Jusufi shtoi se këtu do të tentohet ruajtja e identitetit të shqiptarëve në Zvicër.

“Aktivitetet e saj përfshihen në ruajtjen e dinjitetit kombëtar dhe fetar, ruajtjen nga asimilimi, po ashtu, përgatitjen e gjeneratave të reja në aspektin edukativ dhe arsimor”, tregon ai.

Duhet cekur se “Tulipani” është xhamia e vetme shqiptare në rrethinë, ndërsa imam i saj është Halil Ademi. Bashkësia Islame Shqiptare do të jetë pronare dhe mbikëqyrëse e qendrës. /Albinfo.ch