LajmeTë fundit

Fillojnë punimet në ndërrimin e pompave tek bunaret në fshatin Zhunicë

Sot edhe zyrtarisht është vënë në punë kompania ekzekutuese për realizimin e projektit të renovimit të stacionit të pompimit në fshatin Zhunicë të komunës së Preshevës.

Përmes projektit do të bëhet zëvendësimi i pompave të vjetra ekzistuese, me pompa të reja të kapaciteteve të projektuara për furnizim më të mirë me ujë të pijshëm dhe dërgim te rezervuaret e qytetit te “Kroni i keq”.

Për dallim nga pompat ekzistuese të kapacitetit prej 100 kWh, do të vendosen pompat e reja me kapacitet 55 kWh, të cilat e përmbushin kriterin e efikasitetit energjetik, ku harxhimi i energjisë elektrike do të zvogëlohet dukshëm, kurse sasia e ujit që do të pompohet në drejtim të rezervuareve të Qytetit do të jetë më e madhe. Kjo gjë do të mundësojë vënien në funksion edhe të bunarit të pestë, për rrjedhojë do të shtohet dhe sasia e ujit që do të shkojë në drejtim të qytetit.

Projekti realizohet në bashkëpunim me organizatën EU PRO dhe financohet nga Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze dhe do të përfundojë brenda tre muajve.

Të gjitha këto ndërhyrje në sistemin e ujësjellësit po realizohen në kuadër të Master planit për zgjidhjen e problemit të furnizimin me ujë të Komunës sonë, ku në fazën e parë është bërë: regjenerimi i bunareve, ndërtimi i rezervuarit të ri dhe renovimi i rezervuarit të vjetër, ndërrimi i pompave te Stacioni i pompimit (projekt sapo i filluar) dhe zëvendësimi i gypit kryesor nga bunaret në fshatin Zhunicë deri te rezervuaret te “Kroni i keq”, ku ky i fundit do të realizohet gjatë vitit 2020.