Lajme

Albin Kurti: Shqiptarët do të jenë vetëm konsumatorë në “Jugosllavinë e katërt”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shprehur sërish kundërshti për krijimin e minishengenit ballkanit, duke thënë se shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë në “Jugosllavinë e katërt” do të jenë vetëm konsumatorë të mallrave serbe dhe do të përfitojnë vetëm tarifë për kamionët e saj.

Kurti ka bërë një deklaratë të tillë gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, të mbajtur online, ku nënvizoi se Kosova është e kanosur nga tre rreziqe.; pandemia, marrëveshjet me Serbinë dhe Gjykata Speciale. Duke folur për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, Kurti thekoi se, është dëmtuar pozitiva ndërkombëtare e Kosovës.

Kreu i VV-së tha se është hera e parë që një qeveri e Kosovës rreshtohet pas njërit kandidat amerikan për President dhe pranohen që t’i bëhen lëshime Serbisë. Sipas Kurtit, me marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, Serbia bëhet palë e politikave në sistemin elektro-energjetik të Kosovës.

“Në marrëveshjen e 4 shtatorit u nënshkrua që Serbisë t’i hapet dera për pretendime territoriale në Kosovë, duke e njohur atë si palë, sa i përket konsiderimit ekonomik të Liqenit të Ujmanit. Liqeni i Ujmanit është tërësisht në pronësi të Kosovës, toka mbi të cilën është vendosur ai ujë, është pronë e Kosovës, edhe nëse është në Serbi. Fakti që Serbia njihet si palë për administrimin e pronave të Kosovës, është një prapakthim i madh, i cili vjen prej një qeverie pa legjitimitet dhe pa pikë patriotizmi”, u shpreh lideri i VV-së.

Kurti tha më tej se, gjithashtu pranimi i minishengenit është në disfavor të Kosovës, duke theksuar se, Serbia do të forcohet shumë ekonomikisht duke u bërë lider në rajon nga kjo marrëveshje. Sipas Kurtit ky pakt nuk ka të bëjë me tregëtinë e lirë pasi të gjitha vendet janë pjesë CEFTA-s, por lidhet me krijimin e një tregu të përbashkët