Vuçiqi takon serbët e Kosovës, thotë se shqiptarët po tentojnë t’ua marrin serbëve të drejtën e të menduarit lirshëm
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është takuar në Beograd me përfaqësuesit e Listës Serbe, me rastin e zgjedhjeve në katër komunat veriore.
Gjatë takimit në pallatin presidencial në Serbi, pjesë morën 137 përfaqësues serbë nga e gjithë Kosova dhe drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq.
Ndërkaq Vuçiqi ka thënë se kuptimi i gjithë asaj që shqiptarët në Kosovë bëjnë është që serbëve t’u merret e drejta për të menduar lirshëm por edhe të përmendin shtetin e tyre, Serbinë.
“Ky është kuptimi i çdo gjëje. Andaj po bëhet kjo fushatë kundër Listës Serbe dhe për këtë u shpallën zgjedhjet lokale në veri”, tha Vuçiqi pas takimit me përfaqësuesit serbë të Kosovës, raporton KTV.
Ai po ashtu porositi serbët të mos lejojnë që “pakica shqiptare të votojë përfaqësuesit e tyre”.
Vuçiqi konfirmoi se me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, më 29 prill do të shkojnë në Berlin ku do të takohen me kancelaren gjermane, Angela Merkel por edhe me presidentin francez.
Ai konfirmoi se në takim do të ketë edhe përfaqësues shqiptarë.
Pas takimeve edhe me liderë të tjerë sikurse presidenti rus, Vuçiqi tha do të prezantojë planin e masave lidhur me situatën në Kosovë.
“Situata për Serbinë është e vështirë sepse askush më nuk flet për taksë. Nuk bënë kështu, kështu nuk luhet me Serbinë sado që dikush është i fuqishëm”, përfundoi presidenti.
Ndërkaq, bëhet e ditur se rreth orës 14:00 do të shpallin vendimin për pjesëmarrje ose jo në zgjedhjet në komunat veriore.