Vuçiqi: E kuptoj se Rama është nën presion, s’po bëjmë Jugosllavi të re
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i është përgjigjur deklaratës së kreut të LDK-së e ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, se Mini-Schengeni Ballkanik nuk është “Jugosllavi e re”.
Vuçiqi ka thënë se nisma për bashkëpunimit rajonal nuk nënkupton formimin e një Jugosllavi të re, por më tepër siç tha ai është një proces që mundëson cilësi dhe jetë më të mirë për qytetarët e të gjithë vendeve.
Kësisoj, Vuçiqi i ka dal në krah edhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke thënë se e pranon që është në presion. Kujtojmë se Mini-Schengeni jo vetëm nga opozita në Shqipëri, por ka hasur në kundërshtime të forta edhe në Kosovë.
“Unë e shoh që Rama është nën presion. Edhe mua gjatë zgjedhjeve, opozita e brendshme më akuzoi se po ndërtoj rrugë drejt Prishtinës, se po ndërtoj rrugë drejt Shqipërisë së Madhe, por ata prapë morën 11 herë më pak vota se unë”, është shprehur Vuçiqi.
Vuçiqi tha se ndoshta dikush do që ta shkatërrojë këtë iniciativë, por ai ka thënë se kjo përfundimisht sjell një jetë më të mirë për njerëzit dhe bizneset.
“Këtu nuk ka krijim të një Jugosllavi të re. Thjeshtë, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave midis vendeve do të kursej para dhe kohë për të gjithë qytetarët”, ka thënë Vuçiqi.