Lajme

Vdiq krimineli i luftës Dragolub Ojdaniq, i cili pranoi publikisht krimet në Kosovë

I dënuari nga Tribunali i Hagës për krime të luftës në Kosovës, gjenerali serb Dragolub Ojdaniq vdiq në Beograd në Spitalin Ushtarak. Ojdaniq ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Serbe gjatë luftës në Kosovë. Si i tillë ai ishte njëri ndër zyrtarët kryesorë serbë që organizoi ekzekutimet masive të civilëve shqiptarë në Kosovë dhe dëbimin e rreth një milion qytetarëve të Kosovës. Në vitin 2000 u emërua ministër i Mbrojtjes i të ashtuquajturës Republikë Federale e Jugosllavisë. Më 2002 u transferua në Hagë. Në vitin 2009 u dënua me 15 vjet burg për krime të luftës në Kosovës.

Për dallim nga kasapët e tjerë të Beogradit Ojdaniq në janar të vitit 2013 pranoi se ka kryer krimet e luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës në fund të viteve 90-të dhe tërhoqi ankesën e tij kundër dënimit nga Tribunali i Hagës. “Pranoj plotësisht të gjitha gjetjet që janë bërë në gjykimin [kundër meje]. Çdo gjë që mbetet për mua është të kryej dënimin tim”, shkroi Ojdaniq në një letër që i dërgoi Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi (ICTY) më 25 janar 2013.

Sipas aktgjykimit, gjenerali “e dinte për fushatën e terrorit, dhunës, dhe dëbimeve me dhunë që u bënë nga VJ [Armata Jugosllave] dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës, por nuk mori masat efektive që kishte në dispozicion”.

Ai u lirua nga burgu më 2013. Ojdaniq u akuzua në vitin 1999 bashkë me ish-presidentin serb Milan Millutinoviq, ish-zëvendëskryeministrin jugosllav, Nikolla Shainoviq, ish-komandantin e Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, ish-shefin e shtabit të trupave të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, dhe ish-shefin e Ministrisë së Brendshme të Serbisë për Kosovën, Sreten Lukiq. Ojdaniq u lind më 1941 afër Uzhicës. Përfundoi Akademinë Ushtarake më 1964. Shërbeu në Sarajevë, Gjakovë, Prizren, Prishtinë, Uzhicë dhe Beograd.