Lajme

Tunheim: Nëse partia e parë nuk lëviz, atëherë ajo i takon Presidentit

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që dekretin e presidentit Hashim Thaçi e vlerësoi si në harmoni me Kushtetutën, ka nxitur një debat të madh në Kosovë. Për këtë çështje ka folur edhe amerikani John Tunheim, që ka qenë këshilltari kryesor i dërguar nga qeveria e SHBA’së, për të ndihmuar hartimin e Kushtetutës së Kosovës.

Tunheim e ka vlerësuar si të drejtë dhe korrekt vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi.

“Mendoj se kjo është saktësisht korrekte. Kur anëtarët e Komisionit Kushtetues janë takuar dhe kur kanë marrë ndihmë nga Komisioni i Venecias dhe autoritetet ndërkombëtare, ka qenë një debat për këtë. Ka ekzistuar një shqetësim se do të jetë një periudhë e gjatë kohore pa qeveri, që do ta dobësonte dhe destabilizonte vendin. Prandaj, Kushtetuta parasheh një proces të shpejtë për caktimin e qeverisë dhe nëse fituesi i zgjedhjeve nuk mund ta formojë qeverinë për ndonjë arsye ose nëse ka mocion të suksesshëm të mosbesimit, atëherë presidenti e ka autoritetin të kalojë të shumica tjetër e mundshme dhe pas dy përpjekjeve, kjo është e tëra, duhet të shkoni në zgjedhje në këtë pikë. Por presidenti duhet të shkojë te një grup i dytë që mund ta formojë shumicën. Kushtetuta është e hartuar në një mënyrë që e inkurajon formimin e një qeverie stabile dhe nëse nuk ka kërkesë për të shkuar në zgjedhje menjëherë, vetëm kur periudha 60-ditore të përfundojë dhe të mos ketë qeveri, atëherë do të shkohej në zgjedhje, sepse të gjithë kanë qenë të shqetësuar për periudhën e gjatë kohore pa qeveri, që qartazi do të ishte destabilizuese”, ka deklaruar ai në t7.

Gjyqtari Tonheim, gjithashtu ka ndihmuar në ristrukturimin e Kodit dhe Procedurës Penale në Kosovë. John Tunhiem, ka punuar edhe në projekte zhvillimore të sundimit të ligjit Uzbekistan, Gjeorgji, Rusi, Mal të Zi, Jordani, Hungari, Bulgari, Maqedoni, Kazakistan, Kirgistan, Moldavi, Lituani, Nepal dhe Ukrainë, ndërsa tani udhëheq gjykatën në distriktin e Minesotës në SHBA.