Kryesore

Thaçi: Në dialog me Serbinë do ta shtrojë çështjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se do të provojë t’ia marrë Serbisë, komunat me shumicë shqiptare si Preshevën, Bujanocin e Medvegjën pa iu dhënë asgjë.
Këto komente Thaçi i bërë gjatë intervistës së tij në emisioni ‘Opinion’ të Bledi Fevziut.

I pyetur në lidhje me dëshirën për të marrë Medvegjën e Presheven e Bujanocin,Thaçi u përgjigj si vijon: “Po, ajo është dëshirë e kahmotshme. Në dialog nuk do të ngurroj që ta shtrojë, pa e cenuar tërësinë territoriale të Kosovës.”

Tutje ai ka thënë se kosovarët nuk i ka ndalur as Serbia e as tani pandemia që të shkojnë në Shqipëri dhe se mes Kosovës e Shqipërisë duhet të ketë më shumë përafrime.

“As s’ka mujt Serbia me na ndalë e as Covidi. Mes Kosovës e Shqipërisë duhet të ketë sa ma shumë përafrime politike dhe konsensuse”, u shpreh ai.
Presidenti ka theksuar se është duke punuar me të gjithë që të lëvizin bashkarisht drejt një marrëveshjeje me Serbinë.

“Besoj se do të kemi një marrëveshje me Serbinë, më shpejt se sa që mendojnë pesimistët”, theksoi Thaçi.
Sipas tij, kjo marrëveshje do të mbyll përfundimisht armiqësitë dhe problemet e hapura me Serbinë.

“Kjo marrëveshje do të sjellë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Serbisë”, shtoi ai.