Të gjitha partitë shqiptare bëhen bashkë kundër Listës Serbe në Veri të Kosovës
Zgjedhjet e 17 tetorit të këtij viti i kanë bashkuar në komunat veriore partitë shqiptare, PDK-në, LVV-në, LDK-në, AAK-në dhe AKR-në, që do të dalin me një kandidat të përbashkët kundër Listës Serbe.
Për herë të parë, të gjitha partitë shqiptare janë bërë bashkë kundër Listës Serbe në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Madje, partitë politike, LVV-ja, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe AKR-ja janë dakorduar edhe për një kandidat të përbashkët.
Kështu ka bërë të ditur Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Po subjektet politike shqiptare do të garojnë në një listë të përbashkët për zgjedhjet e 17 tetorit në veri. Poashtu pjesë e listës do të jenë edhe komunitete që nuk i përkasin etnisë serbe. Por, nuk përjashtohet mundësia që pjesë e listës të jetë edhe ndonjë serb që nuk është i kënaqur me udhëheqjen atje”, thotë ai.
I njëjti ka bërë të ditur edhe emrin e personit që do t’i prijë listës.
“Listës do t’i prijë Skender Sadiku”, ka thënë Florent Azemi nga PDK-ja.
Pak më parë, kreu i Qendrës së LVV-së në Artanë, Abdyl Gashi ka bërë të ditur se janë bërë bashkë me PDK-në dhe kanë kërkuar ndihmë edhe nga subjektet tjera që të mbështesin një kandidat për kryetar të komunës nga shoqëria civile.
Në një shkrim në Facebook, Abdyl Gashi ka shkruar se duhet një unitet i subjekteve politike shqiptare.
Gashi ka thënë se kanë takuar të gjithë subjektet politike në Artanë, për t’u bashkuar në këtë kauzë, e deri tani shton se kanë mbështetjen vetëm të PDK-së.
Nga kjo komunë PDK-ja dhe LVV-ja kanë vendosur që të kandidojnë një anëtar të shoqërisë civile.
“Si Kryetar i Qendrës së Lëvizjes në Artanë kam takuar të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në Artanë për t’u përbashkuar rreth kësaj kauze. Në këto takime Lëvizja VETËVENDOSJE! ka propozuar që të mbeshtetet një kandidat për Kryetar apo kryetare të Komunës nga shoqëria civile. Deri tani nuk kemi gjetur mbështetje nga subjekte të tjera në përjashtim të Partisë Demokratike të Kosovës”, thotë ai.
“Kur ka mbetur edhe pak kohë që një inciativë e tillë të bëhet e mundur, ftoj subjektet shqiptare që të jenë më racionale dhe më të ndërgjegjshme dhe të përbashkohen rreth kësaj iniciative prej të cilës fitojnë të gjithë, fiton Artana”, ka kërkuar i njëjti.