Sinani:Pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës po degradohet çdo ditë e më shumë nga Serbia
Këshilltarja e Kurtit, Ardita Sinani, përmes një reagimi në profilin e saj zyrtarë, shkroi se pozita e shqiptarëve në Luginë çdo ditë e më shumë po degradohet nga shtypja shtetërore e Serbisë, përcjell Ministria e Lajmeve
Reagimi i plotë i Sinanit pa ndërhyrje :
Pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës po degradohet çdo ditë e më shumë me thellimin e diskriminimit dhe shtypjes shtetërore nga Serbia.
Mbetemi të përjashtuar nga çdo institucion me pushtet real ekzekutiv dhe me buxhet.
Jemi të përjashtuar nga drejtësia, ekonomia dhe siguria, si fusha kryesore për liri, zhvillim, mirëqenie dhe barazi.
Për më tepër që, e ku është edhe thelbi i problemit, Kushtetuta aktuale dhe ligjet në fuqi të Serbisë, modeli administrativo-territorial i brendshëm, si dhe klima është thellësisht antishqiptare.
Shqiptarët e Luginës janë sot pothuajse inekzistent në çdo institucion shtetëror që nuk qeveriset nga komunat e Preshevës dhe Bujanocit.
Derisa në Kosovë ekziston Ministria për kthimin e Serbëve të shpërngulur, në Luginë të Preshevës nuk është duke u zhvilluar asnjë projekt që do të krijonte kushte për kthimin e Shqiptarëve të larguar gjatë luftës. Përkundrazi gjatë vitit 2016 pushtetit lokal në Preshevë i ishte imponuar Plani Aksional për avansimin e migrantëve ku pos migrantëve nga Lindja e Afërt dhe e Mesme, parashihej krijimi i kushteve për vendosjen e Serbëve të shpërngulur nga Kroacia, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova.
E tash së fundi qytetarëve të Luginës së Preshevës edhe iu fshihen vendbanimet duke ia cenuar të drejtat elementare, siç e ka quajtur Komiteti i Helsinkut, pastrim etnik me metoda administratrive dhe burokratike.
Si rrjedhojë, po rrezikohet vet substanca kombëtare. Në Medvegjë tashmë pothuajse e kryer.
Pozita aktuale e Shqiptarëve në Luginë të Preshevës është dukshëm nën nivelin e pozitës që ata e kishin në vitet e 70’ta të shekullit të kaluar.