Të fundit

Sinani : Nderimi e lartësimi i veprës dhe idealit të dëshmorëve kuptimësohet sidomos kur punojmë drejtë dhe pandalshëm për liri, demokraci, mirëqenie, bashkim, barazi dhe drejtësi

Fjalimi i kryetares të komunës së Preshevës në Akademinë Përkujtimore të dëshmorëve të UÇPMB-së

Të respektuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar veteranë dhe invalidë,
Të nderuar zyrtarë komunalë dhe përfaqësues të OVL së UÇPMB-së,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër.

Sot po bëhën plotë njëzet vjet nga 14 Maji i vitit 2001. Nga dita e rënies heroike të dëshmorëve të Zonës Operative të Preshevës të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Para njëzet viteve, në njërën anë ishte regjimi shtetëror i Millosheviqit dhe Sheshelit. Në anën tjetër ishin burra, gra, djem dhe vajza të kryengritur për rezistencë, çlirim, liri dhe barazi.

Para njëzet viteve, në njërën anë ishin nën petkun e uniformave ushtarake e policore njësitet paramilitare, në anën tjetër ishin Shabani, Mitati, Samiu, Kastrioti, me shumë bashkëluftëtarë dhe bashkëluftëtare, në krah me popullin.

Njëzet vjet më vonë, sot; Millosheviqi dhe Shesheli janë ndërkombëtarisht të gjykuar dhe të dënuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Njëzet vjet më vonë, sot; Llegija, Arkani, Njësitet për Operacione Speciale (JSO) dhe ‘Beretat e Kuqe’ janë të gjykuar, të dënuar, të ekzekutuar dhe të shpërbërë nga vetë shteti i Serbisë, për shkak të përfshirjes së tyre në krime lufte, krim të organizuar, apo edhe në organizimin e vrasjes së vetë Kryeministrit të Serbisë.

Këto fakte dëshmojnë më së miri se dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk janë vetëm dëshmorë të kombit. Janë dëshmorë antifashist. Janë dëshmorë të lirisë.

Këto fakte dëshmojnë se lufta e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe e popullit që e mbështeti ishte luftë e drejtë. Ishte luftë kundër shtypjes. Ishte luftë për paqe. Ishte luftë për demokraci. Siç ishin palë dialogu. Palë marrrëveshjeje paqësore.

Por ja që sot, njëzet vjet më vonë jemi ende larg paqes. Larg demokracisë. Larg dialogut. Larg marrëveshjes.

Larg paqes se jetojmë vetëm në paqe si mungesë lufte. Larg demokracisë se jetojmë në autokraci. Larg dialogut prej ku jemi përjashtuar. Larg marrëveshjes që nuk po zbatohet.

Të nderuar të pranishëm,

Njëzet vjet më vonë, më 14 Maj të këtij viti, lartësohet ende Ratko Mlladiqi dhe Radovan Karaxhiqi, e në kryeqytet të vendit promovohen publikisht librat që mohojnë gjenocidin.

Njëzet vjet pas 14 Majit 2001, shteti dëshmon se nuk do shtetas shqiptarë. Nuk ia pranon flamurin. Nuk ia njeh historinë. Nuk ia pranon diplomat. Nuk ia njeh kulturën. Nuk i do të punësuar. Nuk i do pronarë. Nuk i do qytetarë. Ja pasivizon edhe vendbanimet.

Njëzet vjet pas 14 Majit 2001, Serbia dëshmon se e do shtetin vetëm për serbët.
Se nuk duron tjetrin. Se nuk do të ndryshmen.

Por, ky realitet i sotëm nuk duhet të na dobësojë.

Përkundrazi. Dëshmorët që po përkujtojmë sot janë frymëzimi më i mirë se nuk duhet së dorëzuari. Se shpresa kthehet me guxim. Se e nesërmja ndërtohet me reflektim. Se gjatë këtyre njëzet viteve edhe ne kemi bërë gabime. Duhet t’i pranojmë që të përparojmë.

Të dashur pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,

Nderimi e lartësimi i veprës dhe idealit të dëshmorëve kuptimësohet sidomos kur punojmë drejtë dhe pandalshëm për liri, demokraci, mirëqenie, bashkim, barazi dhe drejtësi. Për të gjithë, pa dallime etnike, religjoze, gjinore etj.

Vetëm duke mos e harruar të kaluarën pamundësojmë përsëritjen e saj. Ta ndërtojmë të ardhmen duke kërkuar drejtësi. Ta ndërtojmë paqen duke jetësuar lirinë, barazinë dhe zhvillimin. Kjo nuk bëhet duke iu nënshtruar shtypësve.

Vërtetë Presheva ka nevojë për më shumë ekonomi, infrastrukturë, kulturë, edukim etj. Por jo pa liri dhe barazi. Se ajo është vazhdim tjetër robërie.

Siç na mësoi i pavdekshmi Bardhyl Osmani kur thoshte: ‘E kam nderin të jem gjenerata e cila pe di se pa liri s’ka asgjë”.

Ju faleminderit!

Lavdi dëshmorëve!