Sinani: Kërkojmë reciprocitet në të drejta me serbët e Kosovës
Deklaratë nga Ardita Sinani
Partia-shtet e Vuçiqit viteve të fundit :
– Bllokoi dialogun me të zgjedhurit e Luginës.
– Bllokoi zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese për integrimin e shqiptarëve të Luginës dhe zhvillimin socio-ekonomik të rajonit
– Marginalizoi organin qeveritar për Luginën e Preshevës (Trupin Koordinues)
– Përjashtoi shqiptarët nga pushteti në Medvegjë
Republika e Serbisë nuk ka zbatuar qëllimet thelbësore të marrëveshjeve të miratuara prej saj për Luginën e Preshevës, siç janë: integrimi, rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, kthimi i popullatës së zhvendosur dhe çmilitarizimi i rajonit nga ana e njësive speciale të sigurisë.
Krahas obligimeve kushtetuese dhe ligjore, si dhe obligimeve të cilat imponohen nga marrëveshjet tanimë të njohura ndërkombëtare; Republika e Serbisë ka marrë ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës edhe obligime të posaçme me tri dokumente të veçanta, të cilat janë miratuar nga ana e organeve ekzekutive dhe legjislative republikane.
I. – “Plani dhe programi për zgjidhjen e krizës në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë”. I miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës Federative të Jugosllavisë në shkurt të vitit 2001, njohur me emërtimin e tij të popullarizuar: “Plani i Çoviqit”
Ky Plan dhe Program buron si produkt i “Deklaratës për çmilitarizim” të firmosur nga Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) dhe NATO, të njohur si “Marrëveshja e Konçulit”
II. – “Marrëveshja mbi parimet e riorganizimit të Trupit Bashkërendues për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, nënshkruar më 2009 nga kryetari i Trupit Bashkërendues dhe Minsitri Millan Markoviq, deputeti Riza Halimi dhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Serbi, Hans Ola Urstad.
III. – “Plani Shtatëpikësh” miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Serbisë më 4 qershor 2013. Ky Plan miratohet nga Qeveria e Serbisë pas heqjes së lapidarit kushtuar ish-luftëtarëve të UÇPMB-ës para objektit të komunës së Preshevës.
Pikërisht që mos të ndodhin zgjidhje të tilla të njëanshme e asimetrike që thellojnë krizën dhe konfliktin duhet të përfshihet Lugina e Preshevës në të gjitha skenarët e mundshëm.
Kërkojmë reciprocitet në të drejta me serbët e Kosovës.