Shqipëri

Shqipëria nga e hëna lehtëson masat

Nga dita e nesërme të tjera rregulla hyjnë në fuqi sa i përket lëvizjes së makinave dhe qytetarëve në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se do të hiqen autorizimet për këmbësorët dhe automjetet gjatë javës. Ndërsa fundjava do të jetë sërish pa makina.

Një tjetër rregull që do të ndryshojë nga dita e nesërme është edhe lejimi i të ftuarve në studiot televizive, por me kushtin që të qëndrojnë 2 metër larg njëri-tjetrit.

“Qeveria do të ndryshojë nesër aktin normativ për heqjen e ndalesës së studiove TV për të ftuar jo më shumë se një person. Do të mbetet vetëm kushti që të ftuarit të vendosen në distancë 2m nga njëri – tjetri”, shkruan Rama në Facebook.

Rama bëri të ditur se në zonat e gjelbra hiqet krejtësisht fasha e orareve, ndërsa në zonat e kuqe zgjatet deri në orën 21:00.

“Nga nesër për javën në vazhdim, në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë: Fieri kthehet në zonë e gjelbër. Hiqet krejtësisht fasha orare e lëvizjes në zonat e gjelbërta. Fasha orare e lëvizjes në zonat e kuqe zgjatet deri në orën 21.00. Hiqen në të gjithë vendin autorizimet për lëvizjen e këmbësorëve apo automjeteve gjatë javës – fundjava do të jetë përsëri pa makina. Vazhdon të jetë e ndaluar hyrje – dalja e automjeteve në zonat e kuqe. Qeveria do të ndryshojë nesër aktin normativ për heqjen e ndalesës së studiove TV për të ftuar jo më shumë se një person. Do të mbetet vetëm kushti që të ftuarit të vendosen në distancë 2m nga njëri – tjetri”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka shtuar se masa 14 ditore për të vetëkarantinuarit nuk ndryshon dhe shkelja e saj ndëshkohet nga ligji dhe Kodi Penal.

Rama tutje ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët për ta parandaluar shpërndarjen e koronavirusit.