Lajme

Shfuqizohen edhe 15 certifikata biznese ku qytetet e Kosovës paraqiteshin si pjesë e Serbisë

Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka shfuqizuar 15 certifikata të regjistrimit të bizneseve, në të cilat kishte përmbajtje antikushtetuese, ka njoftuar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

MINT ka thënë se 15 shoqëritë tregtare të cilave u janë shfuqizuar certifikatat, në dokumentacionin e pronarëve kishin paraqitur përmbajtje si: “Pec, Republika Srbija“; “Pec, SRB“; “Gnjilane, Srbija”; “Pristina, Srbija”; “Djakovica, Republika Srbija,”; “Kosovska Mitrovica, Republika Srbija” etj.

Në këtë listë janë: BOMEK SH.P.K.; LENSIA SH.P.K. ( me emërtim te vjetër EPOXY SB- BODEN L.L.C.); MAP SH.P.K.; MTS D.O.O.; NDERTIMI FI 6285 92 SH.A.; THE BUSINESS CLUB L.L.C.; LIRIAN CARS L.L.C. ; BUS SOFTËARE SH.P.K.; GLOBOSOS SH.P.K.; AGENCY S&E SH.P.K.; DEVOLLI GROUP SH.P.K.; VITALAND L.L.C.; BEYOND SH.P.K. ; ELBA PARTNERS L.L.C.; PITE KATUNI SH.P.K.

“Shfuqizimi i certifikatave të shoqërive tregtare, që janë identifikuar me shkelje të njëjta apo të ngjashme, do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Në ndërkohë, ARBK ka vazhduar të bëjë edhe regjistrimin e bizneseve të reja, të cilat kanë aplikuar sipas kërkesave ligjore, me dokumente valide dhe me përmbajtje në pajtim me frymën kushtetuese”, është thënë nga MINT.

MINT ka thënë se vetëm në dy ditët e fundit në ARBK janë regjistruar 86 shoqëri të reja tregtare për të cilave 33 biznese individuale e 53 biznese shoqëri me përgjegjësi të kufizuara.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në fund të korrikut kishte njoftuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e “KlanKosovës” për vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit për këtë televizion dhe se tash pala ankuese mund të parashtrojë padi në gjykatë, pasi rasti është mbyllur brenda Ministrisë.