Lajme

“Nuk do ta dorëzojmë Kosovën”, Vuçiq i nervozuar pas betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka komentuar përsëri betimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, duke thënë se ajo çfarë ndodhi sot “nuk do të thotë se do të heqim dorë nga Kosova”, duke e akuzuar për këtë komunitetin ndërkombëtarë, pasi që ai mendon se janë në përkrahje të Prishtinës zyrtare.

“Çfarë do të thoshin për Serbinë nëse në zgjedhje do të dilnin tre për qind e votuesve? Na thonë se është çështje legjitimiteti kur dalin mbi 50 për qind. Unë dua që ju të dini se asgjë që ndodh sot nuk është rastësisht. Ata menduan dhe prisnin që ne t’ua dorëzonim Kosovën në një pjatë. Ata prisnin që ne të thoshim se jemi pajtuar dhe se kanë pasur të drejtë kur na kanë bombarduar fëmijët dhe na kanë prishur fabrikat”, tha Vuçiç.

Ndërsa, ai beson se kjo situatë që është krijuar është si pasojë e deklaratës së tij se “nuk do të heqë dorë nga Kosova”.

“Meqë thamë se nuk do të heqim dorë nga normat juridike ndërkombëtare, Kushtetuta e Serbisë dhe integriteti territorial i Serbisë filluan të shkaktojnë probleme”, shtoi ai.

Ndërkaq, presidenti serb theksoi se “Perëndimi thotë se mund ta bëjë kështu”, duke shtuar se “QUINT-i pretendon se zgjedhjet janë të ligjshme”.

“Sot vendi ynë po përballet me vështirësi të panumërta. Këto vështirësi ndonjëherë janë të jashtme, ndonjëherë të shkaktuara nga brenda. Gabohen të gjithë ata që mendojnë se Serbia është një grusht tërshërë dhe se me Serbinë do të përfundojë lehtë si në vitin 2000”.

Tutje, kreu i Serbisë deklaroi se “është i shqetësuar për situatën në Kosovë”, dhe përsëriti qëndrimin e Listës Serbe, të cilët kanë paralajmëruar se më datën 1 qershor do përgjigjen dhe do reagojmë me të gjitha mjetet, kjo pas betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut.