Kryesore

Salihu intervistë për “Kohën”: Jemi të zhgënjyer nga shteti i Kosovës e Shqipërisë, vetëm vizita, premtime por asnjë ndihmë për Luginën

Vizita po, premtime po, po asnjë ndihmë. Duke parë sa po i ndihmon Serbia serbët që jetojnë në Kosovë, shumë jemi të zhgënjyer dhe të revoltuar. Edhe pse ata po përballen me pandemi si kudo nëpër botë, Lugina e Preshevës mbetet të përdoret vetëm për interesa partiake dhe ditore si në Kosovë,ë ashtu edhe në Shqipëri. Megjithëse nuk është koha për akuza, si Shqipëria dhe si Kosova kanë kapacitete të na ndihmojnë…, thotë për gazetën KOHA, drejtori i Shëndetit Publik në Preshevë, Driton Salihu.

Bisedoi: Blerand REXHEPI

Në një situatë kur i gjithë rajoni por edhe bota mbarë po vlon nga pandemia e Covid 19, qyteti i Preshevës mbetet një nga zonat që deri më tani nuk ka evidentuar asnjë të infektuar me këtë virus vdekjeprurës, edhe pse rasti i parë në Serbi është evidentuar që më 6 mars, ndërsa deri sot janë regjistruar dhjetëra të viktima. Presheva, sipas statistikave jozyrtare, numëron diku rreth 45 mijë banorë. Gazeta KOHA ka biseduar me drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, ku z. Driton Salihu tregon në detaje situatën në këtë zonë, si dhe shpreh shqetësimin se askush nga qeveritë në Prishtinë e Tiranë nuk janë interesuar për Preshevën në kohë krizash. Ndryshe, deri tani – në Serbi janë të infektuar rreth 3500 qytetarë, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 76 persona.

KOHA: E fillojmë këtë bisedë mbi gjendjen në Luginën e Preshevës, si qëndron deri në këto moment që flasim?

Presheva gjendet në pozitë kufitare që ka shumë lëvizje të qytetarëve dhe duke krahasuar me qytetet përreth, situata është e qetë. Deri tani kur po hyjmë në javën e gjashtë të kësaj pandemie, Presheva nuk ka as të dyshuar dhe as të infektuar. Situata është e qetë dhe nën kontroll. Presheva ka edhe shumë të izoluar.

KOHA: Nuk keni ndonjë të infektuar, po sa jeni të përgatitur në këtë drejtim?

S’ka të infektuar. Disa raste që janë testuar si të dyshuar, kanë dalë negativ. Presheva është njëra ndër komunat e para që i ka mbyll lokalet gastronomike në Serbi. Menjëherë shtabi për situata të jashtëzakonshme i ka mbyll lokalet si kafiteritë, restorantet, baret e të tjera. Serbia momentalisht ka situatë të jashtëzakonshme me orë policore, për vikend pak më të vështirë, mometalisht po kalojmë 60 orë të mbyllur. Edhe shtëpia e shëndetit ka ndërmarrë masat me kohë. Ne kemi hapur “Covid ambulancën” ku trajtohen vetëm pacientët me simptome febrile, si ata me temperaturë, ethe dhe vështirësi në frymëmarrje. Kjo ambulancë punon çdo ditë, 7 ditë në javë me orar 07-22 me mundësi të orarit deri në 24 orë. Arsyeja e kësaj zakonisht ka të bëj me ndarjen e pacientëve tjerë që vijnë për të shkruar terapinë kronike. Pacientët tanë kanë mjekun e zgjedhur dhe te mjeku amë, sipas mundësisë, lajmohen me telefon dhe mund ta shkruajnë terapinë e barnave pa ardhur fare të mjeku për 9 muaj. Kemi edhe Ndihmën e Shpejtë, e cila punon 24 orë. Sa i përket materialit mbrojtës për stafin, ne jemi të përgatitur me maska, doreza… dhe të tjera në mbrojtje nga virusi. Jemi edhe ndër komunat e pakta që kemi shpërndarë doreza dhe maska në vendet ku pritet më shumë në turma si posta dhe banka për t’i vetëdijesuar qytetarët se mbrojtja e vetme ndaj këtij virusi është izolimi dhe maskat. Ka edhe masa të tjera që kemi menduar se ndikojnë pozitivisht për ta eliminuar infektimin e banorëve tanë.

KOHA: Sipas statistikave të fundit, sa banorë numëron gjithë Lugina dhe si mendoni – cili ka qenë shkaku që deri më sot nuk ka ndonjë të infektuar?

Pasi është bojkotuar Regjistrimi i popullatës në Luginë, nuk ka shifra zyrtare të numrit të banorëve, supozohet rreth 90-100.000 banorë, por Presheva momentalisht vlerësohet se ka rreth 45.000, ndërsa një numër i madh i tyre jeton dhe punon në diasporë. Qytetarët e Preshevës janë të vetëdijesuar dhe tashmë e kanë kuptuar se e vetmja mbrojtje që ekziston është izolimi dhe shmangja e kontaktit me njerëz të tjerë, dhe me përpikëmëri të madhe sipas raportit të policisë, po i përmbahen orës policore, edhe pse ka pak lëshime pasi disa njerëz ende nuk i besojnë virusit dhe gjithë asaj çfarë po ndodh.

KOHA: Edhe përkundër lëvizjes së madhe që ka pasur në rajonin tuaj, në anën tjetër Kumanova si një nga qytetet më të afërta me Luginën numëron numër rekord të të infektuarve. Si një profesionist, a mund të na tregoni se çka po ndodhë?

Mendoj se disa qytete në fillim nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse, për fat të keq edhe qyteti fqinj i joni, i cili na lidh edhe familjarisht ka pësuar kaq numër të madh.

KOHA: A ju ka furnizuar Qeveria qendrore e Beogradit me gjësende dhe materiale të nevojshme?

Po. Ne jemi të furnizuar mirë me masa dhe mjete mbrojtëse nga qeveria. Posedojmë maska, skafanderë, doreza etj.

KOHA: Në rrjetet sociale është komentuar shumë se Qeveria në Prishtinë dhe Tiranë nuk ka kontribuar thuajse aspak për të ndihmuar shqiptarët në Luginë, madje thuhet se jeni lënë pas dore. A keni pasur në të vërtetë ndonjë ndihmë këtë kohë?

Për Preshevën deri tani nuk ka pas asnjë interesim të veçantë nga asnjëri pushtet – së paku që unë kur jam drejtor i Shtëpisë së shëndetit, tre vitet e fundit e këtej. Vizita po, premtime po, po asnjë ndihmë. Duke parë sa po i ndihmon Serbia serbët që jetojnë në Kosovë, shumë jemi të zhgënjyer dhe të revoltuar. Edhe pse ata po përballen me pandemi si kudo nëpër botë, Lugina e Preshevës mbetet të përdoret vetëm për interesa partiake dhe ditore si në Kosovë,ë ashtu edhe në Shqipëri. Megjithëse nuk është koha për akuza, si Shqipëria dhe si Kosova kanë kapacitete të na ndihmojnë.

KOHA: Po si është gjendja në Medvegjë dhe Bujanoc, si janë informatat që i keni?

Në Bujanoc deri tani janë 4 persona të konfirmuarme koronavirus, ndërsa në Medvegjë 2 dhe njëri prej tyre ka humbur jetë. Momentalisht edhe atje situata është stabile.

KOHA: Kur mendoni se Serbia mund të ketë pikun e virusit dhe sa parashihet të jetë numri i të infektuarve deri në fund?

Serbia momentalisht pret, sipas paralajmërimeve, nga fundi i muajit prill eventualisht nga fillimi i muajit maj të heq gjendjen e jashtëzakonshme. Tash janë edhe festat e pashkëve dhe fillimi i majit ka 1 dhe 2 majin dhe besoj se pas këtyre festave, do të normalizohet dhe hiqen kufizimet e rënda. Sipas epidemiologëve dhe ekspertëve në Serbi, deklarojnë se kanë nën kontroll dhe dy ditët e fundit nuk ka më shumë se 200-240 të infektuar, duke krahasuar numrin e banorëve prej 7.5 milionë. (koha.mk)