Të fundit

Reagon Sinani: I papranueshëm sulmi ndaj policisë së Kosovës

Reagon këshilltarja e Kurtit për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani

I papranueshëm dhe i pështirë sulmi i sotshëm nga grupe terroriste ndaj Policisë së Republikës së Kosovës ku mbeti një pjesëtarë i saj i vrarë dhe një i plagosur në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Për të disatën herë po dëshmohet që Serbia për asnjë moment nuk ka dhënë as më të voglin investim të saj institucional për të normalizuar raportet ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

Përkundrazi, investimi i shtetit serb në mënyrë konsistente ka qenë në destabilizimin e situatës në Republikën e Kosovës, njejt sikur që ndodhi gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm.

Ky sulm assesi nuk mund të quhet vetëm sulm terrorist. Ky është sulm i orkestruar terrorist.

Në këtë sulm të sotëm sipas raporteve të Policisë së Republikës së Kosovës, u përdor armatim i rëndë dhe sikur në të gjitha rastet tjera, u përdor në një komunë të banuar nga pakica serbe, pakicë e cila thuajse nga çdo qeveri e Serbisë, e në veçanti nga qeveria dhe presidenti aktual (keq)përdoret për të arritur synimet e saj të mbrapshta.

Sulmuesit të cilët po dëshmohet se janë të armatosur deri në dhëmbë, pas sulmit terrorist po strehohen në manastirin e Banjskës.

Kjo është dëshmia më e madhe që Serbia për të arritur synimet e saja të mbrapshta ndaj Republikës së Kosovës është e gatshme të (keq)përdorë edhe objektet e kultit dhe ato fetare. Është e papranueshme që terroristët nuk e sulmuan vetëm Policinë, por sulmuan shtetin e Kosovës, të strehohen në objektin fetar.

Deri në këtë masë të shfrenimit, Serbia duket se ka ardhur nga përkëdhelja e tepruar nga ndërkombëtarët, duke shpresuar që në këtë formë do të stimulojnë në vetëdijësimin e Serbisë.

Sulmi i sotëm i orkestruarterrorist është dëshmia më e sigurt që trajtimi në këtë formë i Serbisë është stimulim edhe më i madh që ajo të arrijë deri në këtë degradim.

Me pak fjalë, situata aktuale e krijuar nga ky sulm i orkestruar terrorist, është rezultat i faktit që tentativa e Republikës së Kosovës për të vënë rend dhe ligj në tërë territorin e saj shtetëror, në shumicën e rasteve u quajt provokim.

Përshëndes deklarimet e Ambasadave mike të Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar, që sot i dhanë të drejtën e plotë institucioneve të saj për të intervenuar dhe për ta rikthyer gjendjen në normalitet.

Njëherit shpreh ngushëllimet e sinqerta në emër timin dhe në emër të qytetarëve të Luginës së Preshevës për vdekjen e rreshterit A.B. i cili humbi jetën në sulmin e sotëm të orkestruar terrorist. Poashtu uroj shërim të shpejtë policit të plagosur në këtë sulm.

Uroj që ky të jetë sulmi i fundit ndaj shtetit të Kosovës, njëherit shpresoj që situata e sotme të ngrit nivelin më të lartë të alarmit ndërkombëtarë, sepse sulmi i sotëm dëshmon se çfarë strukture antidemokratike, fashiste e madje e gatshme që të shkaktojë ende viktima në Republikën e Kosovës, udhëheq Serbinë.

Kjo për faktin se ka disa ditë që duke filluar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe shumë ministrave e eksponentëve me peshë në Serbi paralajmërojnë që Serbia është e gatshme nëse është e nevojshme, të dërgoj ushtrinë e saj për sipas tyre “mbrojtjen e popullit serb në Kosovë”.

Inkurajoj Policinë e Kosovës në misionin e saj të shenjtë që të vendos rend dhe ligj në tërë territorin e saj, që mos të përsëriten më kurrë raste të ngjashme.

Sepse çdo shqetësim që përjetojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, po me aq ndjeshmëri e përjetojnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës për vëllezërit e tyre.