Raporti për shkarkimin e Metës, çfarë do të ndodhë sot në Kuvendin e Shqipërisë
Ditën e sotme Kuvendi i Shqipërisë do të kaloj raportin e Komisionit Hetimor të ngritur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Seanca e sotme plenare do të jetë e para e një maratone 4-ditore, ku deputetët do të mblidhen 3 herë në Kuvend.
Në rendin e ditës është i parashikuar vetëm raporti i hartuar nga Komisioni Hetimor në lidhje me ligjshmërinë e veprimtarisë së Presidentit Meta në anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 si dhe në procedurat për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni, që është konsideruar si “Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës” votoi javën që shkoi mosshkarkimin e Presidentit, duke u mbështetur në konkluzionet e opinionit të Komisionit të Venecias.
Deputetët socialistë deklaruan se shkelje ka pasur, por se nuk janë të mjaftueshme për të çuar drejt një shkarkimi dhe kjo linjë është ndjekur edhe në raportin që i është dërguar seancës plenare për votim.
Seanca e sotme pritet të jetë e shkurtër. Ndërkohë, në këtë seancë debati pritet të përfshihen edhe debatet për ndryshimet kushtetuese për të hapur mundësinë e listave të hapura në zgjedhjet e ardhshme parlamentare./ Opinion.al