Bota

Greqi, përpjekje për bojkotimin e mallrave turke

Vendimi i Turqisë për të kthyer përsëri në xhami monumentin e lashtë të Hagia Sofias, është bërë shkak për kritika të ashpra midis Athinës dhe Ankarasë. Sidoqoftë, ndërsa Greqia intensifikon përpjekjet e saj diplomatike për sanksione ndaj Turqisë, bizneset greke kanë filluar tashmë një fushatë bojkotimi për mallrat dhe shërbimet nga vendi fqinj.

Vassilis Korkidis, një ndër përfaqësuesit kryesorë të tregtisë në Greqi, shprehet hapur për nevojën, siç e quan ai, për t’iu kundërpërgjigjur Turqisë me masa konkrete.

Ne jemi në dijeni të përpjekjeve që po bën qeveria (greke) në kundërpërgjigje të konvertimit të Hagia Sofias, tha ai. Por, derisa kjo të finalizohet në diçka konkrete, tha Korkidis, bizneset greke nuk duhet të humbin kohë për të bojkotuar tregtinë me partnerët e tyre turq.

Edhe në nivel personal, thotë ai, konsumatorët duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Ata, tha Korkidis, mund ta bëjnë këtë menjëherë, duke bojkotuar mallrat turke që mbajnë numrat 868 dhe 869 në barkodin e produkteve të importuara.

Megjithë armiqësinë e vjetër midis dy vendeve, marrëdhëniet tregtare janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Eksportet vjetore të Greqisë në Turqi arrijnë në rreth 1.6 miliardë dollarë, shumë më tepër sesa 1.2 miliardë dollarët importe nga Turqia.

Nëse grekët do t’u kushtojnë vemendje thirrjeve për bojkot tregtar, kjo mbetet e paqartë, veçanërisht në kushtet kur ekonomia e Greqisë është në kaos për shkak të pandemisë COVID-19.

Sidoqoftë, zemërimi, trishtimi dhe pakënaqësia ndaj shndërrimit në xhami të Hagia Sofia po ndihen mjaft në këtë vend kryesisht ortodoks dhe ekspertët thonë se çdo përfitim afatshkurtër tregtar është i pakrahasueshëm me humbjet që priten të jenë akoma më të mëdha.