Rama për REL: Demokracia nuk do të negociohet
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për radion Evropa e Lirë u shpreh se Shqipëria do të shkojë në zgjedhje me 30 qershor, edhe pse opozita dhe presidenti Ilir Meta thonë se mbajtja e tyre është anuluar.
Rama nuk e fsheh drojën se kriza politike mund ta pengojë këtë proces, por duke iu referuar protestave dhe kritikave të opozitës, thotë se “demokracia nuk do të negociohet”.
I pyetur nëse do ia dalë të gjejë një zgjidhje për të ruajtur stabilitetin politik në vend, Rama shprehet: “Zgjidhja është e qartë, është ajo që mbështet gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe shumica dërrmuese e popullit shqiptar. Zgjedhjet nuk janë të politikanëve, por e popullit. Populli ka të drejtë të zgjedhë në ditën e përcaktuar nga Kushtetuta”,- tha Rama.
Kryeministri dha një mesazh edhe për ata, që sipas tij do guxojnë të prekin zgjedhjet.
“Ata që përpiqen t’i pengojnë zgjedhjet po luajnë me zjarrin. Djegin veten në raport me ligjin. Ka një administratë zgjedhore, një gjykatë zgjedhore, çdo problem i kujtdo me procesin zgjedhor, çohet në gjykatën speciale zgjedhore dhe në asnjë vend tjetër”,- vijoi Rama.
Ndërsa kur u pyet nëse mbante përgjegjësi për përgjimet e publikuara nga “Bild” Rama tha: Kam një pyetje të dytë pas pyetjes tuaj: Pse nuk u përdorën për të bërë një hetim shterrues? Pse u mbajtën mbyllur pa u bërë hetim dhe pse janë dërguar tek partia e opozitës dhe pse partia i dërgon tani në Gjermani për tu paraqitur si zbulime gjermane? Ato janë zbulime të prokurorisë shqiptare, të keqpërdorura, me dhimbje e them por është e thjeshtë: Përgjimet janë kthyer në ushqim për të helmuar njerëzit në prag të çeljes së negociatave”.