Preshevarët kërkojnë ndihmën e institucioneve të Kosovës për koronavirusin
Edhe pse Serbia, të dielën, ka shpallur gjendje emergjente shëndetësore për shkak të koronavirusit, Lugina e Preshevës deri më tani nuk ka shënuar asnjë rast pozitiv me Covid-19.
Por, qytetarët e kësaj treve, me shumicë shqiptare, kanë kërkuar qasje në shërbimin shëndetësor të Kosovës, raporton koha.
Nexhmedin Ahmeti, Drejtor i Shtabit Emergjent në Komunën e Preshevës, në një prononcim për KOHËN, ka thënë se ky shtab ka përgatitur rekomandime për banorët e vendit.
E pas mbylljes së kufijve tokësorë nga ana e Qeverisë së Kosovës, banorët e komunave me shumicë shqiptare në Serbi kanë thënë se duhet të ketë angazhim nga institucionet kosovare.
Sipas tyre, paniku ka filluar të vërehet edhe në këtë komunë, pasi që shumë qytetarë kanë vërshuar marketet dhe barnatoret për t’u pajisur me materiale bazike ushqimore e shëndetësore.
KOHA i ka dërguar pyetje Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë lidhur me gjendjen e krijuar dhe për kërkesat e qytetarëve të Luginës, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje gjatë së hënës.