Goncharenko: Pranoni realitetin, Kosova është shtet

Deputeti i Ukrainës në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Oleksii Goncharenko, u është drejtuar ashpër përfaqësuesve serbë në këtë institucion.

Ai ka thënë se Serbia duhet të ndalojë karshi Kosovës dhe ta pranojë realitetin e shtetit të pavarur, se nuk mund të kthejnë diçka që ajo mendon se e ka humbur.

Goncharenko ka theksuar se nuk është në interesin e mirë të Serbisë që të vazhdojë me veprimet kundër Kosovës.

“Dua tu adresohem serbëve dhe Serbisë dhe t’u them se nuk është në interesin më të mirë të Serbisë që ta bëjë këtë. Ata duhet të ndalojnë. Shikoni historinë, Gjermania pas Luftës së Parë Botërore e përçarë pranoi katastrofën e Luftës së Dytë Botërore, pas saj Gjermania pranoi realitetin, paqen në Evropë dhe u bë shtet i mrekullueshëm. Serbia duhet ta bëjë të njëjtën gjë, që ta ndërtojë një shtet normal, që të futet në BE, të mos tentojë të marrë mbrapsht diçka që ata mendojnë se e kanë humbur, edhe nëse mendojnë se e kanë humbur, e kanë humbur përgjithmonë. Është koha ta pranojnë këtë dhe ta vazhdojnë tutje. Le të themi se Kosova është Evropë, se i pranojmë në KiE dhe Serbia të lëvizë në të njëjtën drejtim”, ka thënë ai.

Goncharenko ka shtuar tutje se Evropa duhet të jetë e bashkuar për të ecur përpara për të siguruar stabilitet dhe paqe.

Ndërsa, ka bërë thirrje te shtetet mosnjohëse që ta njohin Kosovën.

“Dua t’i adresohem shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën shtet, ta bëjnë këtë. Ukraina, shteti im është një nga to. Kam sponsorizuar projektligjin në Parlamentin ukrainas që ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe jam i sigurt se do të ndodhë shumë shpejt, sepse ky është realiteti. Duhet t’i emërojmë gjërat ashtu siç janë, ky është shtet i pavarur, tashmë ka ndodhur. Në interesin e të gjithëve në këtë kontinent veç pranoni realitetin dhe vazhdoni përpara”, ka thënë ai.

Përfaqësuesja serbe thotë se kompromisi me Kosovën është mënyra e vetme për stabilitet në Ballkanin Perëndimor Ndërkohë përfaqësuesja serbe, Dubravka Filipovski, pas akuzave që ka drejtuar ndaj Kosovës për kinse gjendjen e vështirë për mbijetesë të serbëve në veri të Republikës, ka thënë se Beogradi është i përkushtuar në kompromis. “Pavarësisht problemeve në terren, Beogradi qëndron i përkushtuar në dialog konstruktiv dhe kompromisi është e vetmja formë për të krijuar stabilitet të përhershëm në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”.