Lajme

Pas betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, kërcënon Lista Serbe

Pas betimit të kryetarit të ri të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, përfaqësues të Listës Serbe e cilësuan si okupim të kësaj komune. Sipas tyre, Albin Kurti duhet të ndalë përndjekjen e serbëve, ose pas 1 qershorit do të tregojnë format e tyre të rezistencës.

Ish-deputeti i kësaj liste, Igor Simiq doli në një konferencë për media, së bashku me katër ish-kryetarët e komunave në veri të vendit. Nga aty, Simiq foli për rezistencën e tyre pas 1 qershorit, pa dhënë detaje për çcfarë rezistence bëhet fjalë.

“Sot ka filluar okupimi i veriut zyrtarisht, ne jemi për ta ruajtur paqen por durimit i ka ardhur fundi, andaj i japim afat Albin Kurtit që deri më 1 qershor të ndalojë represionin, përndjekjen, arrestimin e serbëve dhe të tjera. Nëse kjo nuk ndalet deri më 1 qershor, ne do të tregojmë format tona të rezistencës”, tha Simiq pa dhënë detaje për çfarë rezistence bëhet fjalë.