Komiteti i Helsinkit e quan një spastrim etnik pasivizimin e adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Spastrim etnik me mjete administrative. Kështu është konsideruar pasivizimi i adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në raportin e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi.
Në raportin e titulluar “Minoriteti shqiptar në pritje, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja si pengje të marrëdhënieve Serbi-Kosovë”, theksohet se pasivizimi i adresave ka për qellim zvogëlimin e numrit të shqiptarëve në këto komuna.
“Në mënyrë që të zvogëlohet numri i shqiptarëve që jetojnë në jug sa më shumë të jetë e mundur, shteti po kryen procesin e ashtuquajtur “Pasivizimi i vendbanimit të shqiptarëve” që punojnë jashtë vendit, qoftë në Evropën Perëndimore ose në Kosovë. Kjo masë është në thelb një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative”, thuhet në raport.
Duke qenë se afati për ankesa është shumë i shkurtër dhe informimi i personave për pasivizimin e adresës mungon, shqiptarët e humbasin të drejtën për t’u ankuar.
Raporti evidenton edhe të drejta të tjera që u mohohen shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Një problem i veçantë është mosnjohja e diplomave, e cila nxit largimin e njerëzve më të arsimuar që i përkasin elitës shqiptare, të cilët nuk kanë asnjë mundësi punësimi në institucionet shtetërore dhe publike.
Shqiptarët që punojnë përkohësisht jashtë nuk kanë mundësi të investojnë në këto tre komuna.
Sakaq, kur bëhet fjalë për ballafaqimin me të kaluarën është humbur mundësia për të ndjekur penalisht rastet e vrasjes, abuzimit, dhunës dhe rrëmbimit të civilëve në periudhën midis 1996 dhe 2002./euronews.al/