Opinione

Ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi akomodon apetitet hegjemone

Ideja e ndryshimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje eventuale për arritjen e një marrëveshje juridikisht obliguese ndërmjet dy vendeve, e cila u nxor në pah që nga mesi i vitit të kaluar, ka nxitur debate te ashpra në Kosovë. Në opinion, kjo ide është parë në forma, opsione dhe koncepte të ndryshme, si korrigjim i kufirit, si ndarje e Kosovës dhe si shkëmbim i territoreve ndërmjet dy vendeve. Por, cilat janë dallimet ndërmjet këtyre koncepteve? Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se dallimet ndërmjet këtyre tri koncepteve janë të thella dhe substanciale. Sipas tij, korrigjimi i kufirit është praktikë ndërkombëtare, e cila aplikohet në fazat finale të caktimit të kufirit, përkatësisht, demarkacionit dhe shënimit në terren të kufirit, në rastet kur kufiri ndërmjet dy shteteve është i caktuar dhe dihen kriteret e identifikimit të tij. “Korrigjimi nuk nënkupton ndryshim të sovranitetit territorial. Kurse copëtimi dhe shkëmbimi i territorit nënkupton ndryshim të sovranitetit territorial. Te korrigjimi (i kufirit), pikat e policisë, autoriteti publik i Kosovës, nuk ndryshon, mbetet si ka qenë. Në disa vende shkon rreth 500 metra më andej dhe në disa tjera, më këndej. Kurse, të shkëmbimi ose shkëmbimi i territoreve, sovraniteti territorial ndryshon komplet, prej policisë, ushtrisë, doganave, tatimeve, shtetësisë, borxhit të jashtëm, pronave dhe gjithçka që lidhet me sovranitetin territorial. Ajo çka synon Serbia, është copëtimi (ndarja) e Kosovës. Nuk flitet për shkëmbim të territorit, por copëtim i Kosovës, me qëllim të akomodimit të apetiteve hegjemoniste serbe”, theksoi Hasani.