Musk blen Twitter-in për 44 miliardë dollarë
Twitter ka pranuar ofertën e Elon Musk për të blerë kompaninë, njoftoi të hënën kompania.
Ky është një zhvillim dramatik për miliarderin teksa ai kërkon të zhbllokojë “potencialin e jashtëzakonshëm” të rrjetit social.
Kështu, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Musk do të paguajë 54.20 dollarë për aksion për Twitter, që përputhet me ofertën e tij origjinale, në total 44 miliardë dollarë.
Të dy palët u takuan të dielën pasi drejtuesit e Twitter zgjodhën të rishqyrtojnë ofertën origjinale të Musk, raportuan disa media, pasi ai siguroi rreth 46 miliardë dollarë financim për të mbështetur marrëveshjen.
Bordi i Twitter fillimisht i rezistoi përpjekjes së Musk për të blerë kompaninë.
Ajo krijoi një mbrojtje për të bllokuar përpjekjet për “një blerje armiqësore” pasi Musk refuzoi ofertën e saj për një vend në bordin në këmbim të kufizimit të investimit të tij maksimal.