Lajme

Muhaxhiri: Koronavirusi, mund të jetë pengesa e vetme që tash të mos bie Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pavarësisht vështirësive nëpër të cilat po kalon koalicioni qeverisës, nuk do ta ndërpresë punën e tij dhe nuk do të ndalet para pengesave.

Qeveria e Kosovës ka pësuar luhatje, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë lindur ndërmjet dy partnerëve të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas vendimit të Kurtit për të shkarkuar Agim Veliun nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo e fundit ka iniciuar dhe proceduar në Kuvendin e Kosovës mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Mocioni i iniciuar nga LDK-ja për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Kurti ka marrë mbështetjen e të gjitha partive opozitare.

Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media të shtunën, lidhur me angazhimet dhe masat e qeverisë në luftë kundër virusit COVID-19, që njihet si koronavirusi i ri, ka deklaruar se që nga nisma e LDK-së për mocion mosbesimi e deri më tash, nuk është takuar me përfaqësuesit e partive opozitare.

“Jo, nuk i kam takuar dhe nuk kemi biseduar për këtë gjë. Jemi plotësisht të përkushtuar në punën që bëjmë në këtë situatë, kur shëndeti publik është para së gjithash dhe mbi të gjitha. Preokupimi im nuk është java e kaluar, në kuptimin politik, por java e ardhshme në kuptimin shëndetësor”, ka thënë Kurti.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të rikthejë në pozitën e mëparshme ministrin Agim Veliu, si dhe ta heqë tërësisht tarifën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Kryeministri Kurti, të paktën deri më tash, ka refuzuar kthimin e Veliut në qeveri, ndërkaq, nga 21 marsi, ka nisur zbatimin e vendimit për heqjen e tarifës prej 100 për qind për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se situata politike e krijuar si rezultat i përplasjeve brenda koalicionit qeverisës, është krejtësisht e pakuptimtë për qytetarët e Kosovës, në gjendjen aktuale me koronavirusin.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se në bazë të deklaratave që kanë dhënë përfaqësuesit e të dy partnerëve të koalicionit qeverisës, Vetëvendosjes dhe LDK-së, çarja e krijuar ndërmjet tyre është shumë e madhe.

“Ekziston një hendek i pakapërcyeshëm, sepse nuk ka asnjë indikacion që qëndrimet e tyre do të mund të ktheheshin prapa, respektivisht vendimi i kryeministrit Kurti për shkarkimin e Agim Veliut ose pranimi i LDK-së që të vazhdojë bashkëqeverisjen pa prezencën e Veliut në qeveri. Në bazë të deklarimeve, shihet që nuk ekziston vullneti që të kërkohet një rrugë e mesme dhe, sipas të gjitha gjasave, do të procedohet me mocionin e mosbesimit në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Muhaxhiri.

Megjithatë, sipas tij, në mënyrë paradoksale, koronavirusi mund të jetë pengesa e vetme që të mos bie qeveria.