LajmeTë fundit

Vuçiq për Kosovën: Tani do të kishim me çfarë të shkonim në luftë, por nuk dua luftë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se vendi i tij sot është në një pozitë shumë më të fortë sesa vite më parë, por ka nënvizuar se nuk është i interesuar për përshkallëzim të situatës apo konflikt.

Në një intervistë për “Informer”, Vuçiq tha se Serbia ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse gjatë viteve të fundit, duke e krahasuar situatën aktuale me periudhën para 15 vjetësh dhe kohën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Ai theksoi se investimet në ushtri dhe zhvillimi ekonomik kanë ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e shtetit, duke shtuar se Serbia tashmë disponon pajisje moderne ushtarake dhe armatim të avancuar.

Sipas tij, kjo forcë shërben si faktor parandalues, ndërsa shtoi se vendi duhet të vazhdojë të forcohet edhe më tej për të ruajtur sigurinë.

Duke folur për Kosovën, Vuçiq u shpreh se çështja mbetet pjesë e dialogut, por theksoi se nuk synon konflikt.

“Tani do të kishim me çfarë të shkonim në luftë, por nuk dua luftë, sepse u kam premtuar qytetarëve paqe”, deklaroi ai.

Në fund, presidenti serb bëri të ditur se së shpejti do të udhëtojë drejt Kinës, një vizitë që, sipas tij, përbën më të rëndësishmen në karrierën e tij politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *