Ministria e Shëndetësise së Kosovës paraqet masat e reja për parandalimin e Covid-19, hyjnë në fuqi nga e mërkura
Ministri në detyrë Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media sonte shpalosi masat e reja për parandalimin e Koronavirusit në Kosovë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Nga e mërkura data 15 prill me fillim nga ora 06:00, ndalohet qarkullimi i personave fizik, jashtë shtëpive, banesave të tyre nëpër komuna përveç rasteve emergjente. Vetëm 1 orë e gjysmë në ditë për kryerjen e pagesave dhe blerjen e gjërave. Nuk lejohet shoqërim i blerjes përveç në dy rasteve, personave me aftësi të kufizuar dhe atyre nën 16 vjeç. Ndaj personave në moshë rekomandohet dhe ju lutemi që personat mbi 60 vjeçare mos të dalin nga banesat dhe shtëpia. Vetëm 1 herë në ditë 1 orë e 30 min”, ka thënë Vitia.
Ai ka kërkuar që këto masa të zbatohen deri në pikën e fundit. Po ashtu, ministri Vitia ka bërë me dije se këto javë do të jenë kritike dhe ka thënë që presin rritjen e numrit të rasteve me COVID-19.