Ministri Çeku në Preshevë: Do të kemi angazhime konkrete për të rritur bashkëpunimin kulturor
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku po qëndron për vizitë zyrtare në Luginë të Preshevës.
Atje është pritur në takim nga kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila u shpreh e lumtur për këtë takim të përbashkët.
Çeku tha se në takim u diskutuan çështjet e përbashkëta, ku edhe theksoi se do të ketë angazhime konkretet për të rritur mobilitetin kulturor mes institucioneve të të dyja vendeve.
“Kënaqësi dhe nder i veçantë të jem këtu. Bashkëpunimi që e kemi nis para ca kohe me takime edhe në Prishtinë, po e konfirmojmë edhe njëherë këtu. Jam shume i lumtur që si vazhdimësi e përpjekjeve të Qeverisë Kurti për ta shtyrë përpara bashkëpunimin me Luginën të kontribuojmë edhe me dimensionin bashkëpunimit kulturor. Ne i diskutuam çështjet e përbashkëta dhe jam shumë i lumtur që do të kemi angazhime konkrete për të rritur mobilitetin kulturor, bashkëpunimin kulturor mes institucioneve dhe natyrisht për ta parë edhe një dimension të bashkëpunimit në sferën e trashëgimisë kulturore si një nga elementet kryesore që nxisin edhe pjesën sociale, ekonomike”, tha Çeku.
Vizitat e ministrave të Qeverisë së Kosovës në Luginë po i sheh si frymëzuese e inkurajuese, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.
“Është jashtëzakonisht inkurajuese, frymëzuese vizitat e çdo ministri të Qeverisë së Republikës së Kosovës. po tregohet një interesim jashtëzakonisht shumë i madh kohëve të fundit për sensibilizimin e pozitës shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga ana e Prishtinës zyrtare, sidomos vizita e Çekut na bënë që të ndjehemi më krenar dhe të gjejmë forcë për të vazhduar dhe të çojmë përpara të gjitha këto procese përpara. Kultura dhe trashëgimia kulturore janë burim i rezistencës dhe ne me këtë rezistencën tonë dhe diskriminimit të vazhdueshëm që po bëhet nga Beogradi zyrtar përmes këtyre mekanizmave duke ruajtur mekanizmat, duke ruajtur trashëgiminë, kulturën janë këto shtytje për të çuar gjitha këto përpara. Ne me ministrin biseduam përmes mjeteve të ndara nga Qeveria e Kosovës që janë në linje buxhetore se si duhet të ndahen dhe të menaxhohen dhe t’i shpërndajmë ato mjete. Përveç simbolikës për ne është shumë e rëndësishme institucionalizimi i këtyre mjeteve, vija buxhetore e cila ka ndodhur për herë të parë përpos krahas ndihmave që janë dhënë në vazhdimësi nga gjitha qeveritë e mëparshme”, tha ajo.
Vizitë në Preshevë në muajin janar bëri edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ndërsa katër ministrave të Kosovës, Liburn ALiut, Hekuran Muratit, Arbërie Nagavcit dhe Hajrulla Çekut, Serbia ua kishte refuzuar kërkesën për vizitën me 27 dhe 28 nëntor 2021.