Shqipëri

Meta letër KQZ-së: Sa është numri i deputetëve në Kuvend?

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i është drejtuar përmes një kërkese KQZ-së, ku i kërkon informacion sa deputetë ka Kuvendi i Shqipërisë.

Aktualisht, Parlamentit i mungojnë 18 deputetë pas shterimit të listave të opozitës për plotësimin e vendeve vakante.

“Cili është numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në shkallë vendi? Vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë për çdo zonë zgjedhore për çdo subjekt si dhe listën emërore të deputetëve në shkallë vendit”– pyet Meta në dokument.

Kjo lëvizje e Presidentit vjen ndërkohë që vetëm pak orë më parë, tha se ishte zgjedhur nga një Parlament legjitim. Kujtojmë se Meta është zgjedhur President legjislaturën e shkuar të Parlamentit.

“Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti jo nga ky, nga një parlament plotësisht legjitim, por Presidenti i takon Republikës dhe Republika i takon vetëm shqiptarëve, besoj se jam shumë i qartë”– tha Meta sot paradite.