Lutfiu: Pushteti totalitar i Vuçiqit refuzon vizitën e ministrit Sveçla në Luginë
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, para pak çastesh ka reaguar pasi që Serbia ka refuzuar vizitën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, përcjell Ministria e Lajmeve
Lutifu në reagimin e tij deklaroi se pushteti totalitar i presidentit Vuçiq me refuzimin e vizitës të ministrit Sveçla ka për qëllim që shqiptarëve të Luginës t’ia humbin linjat komunikuese me Kosovën dhe bashkpunimin me KKSh-në.
Më posht mund ta lexoni reagimin e plotë të kryetarit të KKSh-së :
Të nderuar bashkëkombas
Fundin e muajit që shkoi i bëra ftesë ministrit të brendshëm të Kosovës z. Xhelal Sveçla që të vizitojë Luginën e Preshevës, duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit për vizitat zyrtare.
Ftesa kishte për qëllim një vizitë të ministrit Sveçla në Luginë për t’u njohur me gjendjen e shqiptarëve në tri komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Po ashtu, ishte një ftesë falëmnderuese për njërin nga akterët e Qeverisë së Kosovës e cila po vazhdon të ofrojë mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Por, siç jemi njoftuar, Serbia e cila udhëhiqet me pushtet totalitar nga Aleksandër Vuçiq, ka refuzuar një vizitë të tillë vëllazërore të ministrit Sveçla në Luginën e Preshevës.
Ky refuzim ka për qëllim që shqiptarët në Luginën e Preshevës të humbin linjat e tyre komunikuese me Kosovën dhe të mos lejohet asnjë lloj bashkëpunimi mes institucioneve komunale por edhe Këshillit Kombëtar Shqiptar me institucionet e Qeverisë së Kosovës.
Po ashtu qëllimi i ndalimit të kësaj vizite synon getoizimin e mëtejmë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të cilët janë minoriteti më i diskriminuar në Evropë dhe jo vetëm.
Ne po shpresojmë që kjo të jetë hera e fundit kur Serbia ndalon zyrtarët e lartë të Kosovës për vizita në Luginën e Preshevës dhe ky ndalim të jetë edhe një alarm për Bashkësinë Ndërkombëtare.