Kryesore

Luginasit nuk mund të hyjnë në Kosovë, nëse nuk posedojnë PCR Test nga data 31 korrik

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19.

Sipas njoftimit, pas analizës së situatës epidemiologjike në vend, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pranuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për ndërmarrjen e masave të reja, me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit COVID-19.

Meqenëse ka rritje të numrit të qytetarëve, të cilët kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Vendimin si në vijim:

Në mbështetje të nenit 55 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në zbatim të nenit 89 të Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi, në zbatim të dispozitave të nenit 41 dhe nenit 50 të Ligjit Nr. 02/L-109 për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, duke u bazuar në nenin 4 të Rregullores Nr. 06/2020 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, e ndryshuar dhe e plotësuar me Rregulloren Nr. 07/2020, si dhe në zbatim të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/11, datë 15.03.2020, për Shpalljen e Emergjencës për Shëndetin Publik, pas diskutimit me njësitë përkatëse në zbatim të rekomandimit të IKShPK-së, në pajtim me nenin 17 dhe 19 të Rregullores së Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 09/2011, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 28 korrik 2020, merr këtë:

V E N D I M

Të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës (RKS) duhet të dëshmojnë se janë të shëndoshë nga COVID-19, me testin RT-PCR në Sars COV-2, sipas parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim:

Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk ka nevojë të kenë vërtetim për test negativ RT-PCR, duke marrë parasysh që shtetasi i huaj vetëm do të kalojë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojë territorin e RKS-së;

Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, nuk ka nevojë të kenë vërtetim për test RT- PCR, porse, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratën se brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;