Lajme

Lekaj thotë se do të punojë për Kosovën, pavarësisht dënimit për 53-milionëshin

Ish-ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Pal Lekaj, deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili u dënua me tri vjet e tetë muaj burgim për rastin e 53-milionëshit, deklaroi të dielën se është i pafajshëm dhe sëkëndejmi, do të vazhdojë të kontribuojë për Kosovën.

Kam dashur që të komunikoj drejtpërdrejt dhe t’u them që në këtë proces jam i pafajshëm dhe do të qëndroj sikurse kam qëndruar edhe përpara… Në çdo kohë jam i gatshëm të jap kontributin tim për të mirën e Kosovës dhe të mirën e përgjithshme”, theksoi deputeti kosovar gjatë një takimi me qytetarë.

Lekaj u shpall fajtor të mërkurën e 31 janarit nga Gjykata Themelore në Prishtinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtimit të buxhetit të Kosovës në rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit amerikan “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Autostrada që lidhë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut i kushtoi buxhetit të shtetit mbi 600 milionë euro. Qeveria e Kosovës ndau 53 milionë euro shtesë në vitin 2018 për punimet e autostradës Prishtinë – Hani i Elezi për shkak të “dështimit” të pushtetit të kaluar që t’i paguajë faturat/albanianpost.