Lajme

Lajçak: Shkëmbimi i territoreve nuk do të jetë në rend dite në dialogun Kosovë-Serbi

Në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Bashkimi Evropian duhet të shkojë “dorë për dore” me Shtetet e Bashkuara, tha përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve APA, ai deklaroi se kriza e shkaktuar nga koronavirusi tregoi se BE duhet të jetë “më e shpejtë dhe më e dukshme” në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është në rendin e ditës.

“Ne kemi parë një reagim shumë të fortë negativ për zëvendësimin e territoreve – në Kosovë dhe vendet e tjera të rajonit, si dhe në vendet e BE. Kjo më çon në përfundimin se nuk është në rendin e ditës, as nuk duhet të jetë në rendin e ditës”, tha Lajçak.

Duke folur rreth deklarimeve të shefit të diplomacisë evropiane Josep Borell se nuk e përjashton një ndryshim të kufijve dhe se marrëveshja dhe përmbajtja e saj janë përgjegjësi e të dy vendeve dhe se BE nuk mund të përcaktojë asgjë, Lajçak tha se Borrell theksoi se BE po synon një “marrëveshje të harmonizuar ligjërisht”.

“Ne kemi nevojë për një marrëveshje që qetëson situatën,” tha përfaqësuesi special i BE-së.

Reagimet ndaj idesë së shkëmbimit të territoreve, sipas tij, treguan “shumë qartë” se do të sillte “krejt të kundërtën”.

Lajçak nuk ka dashur të komentojë pohimet për një marrëveshje të fshehtë për shkëmbimin e territoreve midis presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Aleksandar Vuçiq, e cila mbështetet nga SHBA, siç pretendojnë disa.

“Unë nuk jam duke punuar në bazë të spekulimeve”, tha Lajçak, duke shtuar se ai nuk kishte parë një plan të tillë në asnjë rast.

Lajçak gjithashtu nuk pranoi të komentojë që Shtetet e Bashkuara, përmes të dërguarit të posaçëm Richard Grenell, u përfshinë gjithashtu në rënien e qeverisë së Albin Kurtit siç pretendoi vetë Kurti, transmeton KosovaPress.

E vetmja gjë që është e rëndësishme, vlerësoi Lajçak, është një qeveri e qëndrueshme që gëzon mbështetje të gjerë nga parlamenti dhe popullata.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë partneri më i rëndësishëm ndërkombëtar i BE-së në Kosovë,” tha Lajçak.

Lajçak e sheh rolin e BE-së dhe rolin e tij personal në konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë kryesisht në rolin e ndërmjetësit. Ai nuk mendon se ardhja nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën është një pengesë. Ai madje e sheh atë si një “mundësi”, por shton se ai nuk përfaqëson Sllovakinë, por tërë BE-në.

Për të qëndruar i besueshëm si aktor, BE duhet të marrë një vendim për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur, por Lajçak nuk ka dashur të përgjigjet se cilat vende nuk po e mbështesin një gjë të tillë.

Përfaqësuesi special i BE tha se çështja aktualisht po negociohet dhe se ai ishte “absolutisht optimist” se një marrëveshje do të arrihet së shpejti.

Kur u pyet se çfarë rezultati do të donte të shihte në fund të mandatit të tij, Lajçak tha se disa gjëra janë thënë më mirë se sa që janë arritur.

“Qëllimi është që të kemi një marrëveshje juridikisht detyruese midis dy palëve që sqaron të gjitha çështjet e hapura, se është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe nga të gjitha palët – politika dhe njerëzit në të dy vendet, rajoni, por edhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së të pranohet dhe të njihet. Nuk ka asnjë arsye për të vonuar procesin, por në fund të fundit, cilësia është më e rëndësishme sesa një marrëveshje e shpejtë “, tha Lajçak.