Kryqi i Kuq Ndërkombëtar raporton se u gjetën eshtrat e tij: Kush ishte Ukshin Hoti?
Kryqi i Kuq Ndërkombëtar për AP ka thënë që eshtrat e veprimtarit të shquar Ukshin Hoti do të kthehen në Kosovë, dhe se ekzistojnë edhe emrat e dy personave që e kanë ekzekutuar atë. Por, kush ishte Ukshin Hoti?
Veprimtari Hoti ka lindur më 17 qershor 1943 [do të ishte 78 vjeçar po të ishte gjallë] në Krushë të Madhe, komuna e Rahovecit.
Babi i tij ishte shitës gazetash përballë shkollës së fshatit. Shkolla ofronte vetëm katër vjet edukim, ndaj Hotit iu desh të vazhdojë vitet tjera në fshatin Rugovë të Hasit.
Ai do vazhdonte në Normalen e Prizrenit dhe më pas në Prishtinë. Ky nivel shkollimi, për atë kohë, ishte i mjaftueshëm që Hoti të kthehej të jepte mësim në shkollën e tij të fshatit në vitin 1963.
Kjo për një periudhë të shkurtër kohore, meqë ambicia e Hotit do ta dërgonte atë një vit më pas në Zagreb, fillimisht në Fakultetin e Mjekësisë. Por, edhe me insistimin e disa profesorëve të tij atje, ai do ri-orientohej në një tjetër fushë, atë të Shkencave Politike.
Në Zagreb janë edhe gjurmët e para të aktivizimit të tij, kur ai me shokë do organizonte protesta për luftën në Vietnam. Hoti do linte Zagrebin, për të vazhduar studimet pasuniversitare në Beograd për marrëdhënie politike dhe ekonominë ndërkombëtare. Në atë kohë do kryente edhe shërbimin ushtarak.
Kjo ishte koha kur do fillonte të shkruante artikujt e parë, kryesisht në rubrikën e politikës së jashtme, të cilat do botoheshin në gazetën “Rilindja”.
Në vitin 1970, Ukshin Hoti angazhohet në administratën shtetërore, më saktësisht në Komisionin Ndërkombëtarë për Bashkëpunim me LSPPJ (Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Jugosllavisë) ku punon deri në maj të vitit 1972. Në këtë kohë dhe brenda këtij pozicioni, ai delegohet për një mision paqeruajtës në Angolë për një periudhë 4 mujore.
Po në vitin 1972 Ukshin Hoti emërohet Sekretar i sekretariatit për Marrëdhënie më Jashtë, për këtë arsye ai shpërngulet në Prishtinë për të marrë funksionet e tij.
Ishte gjatë mandatit të tij, kur pas një marrëveshje mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, u mundësua që disa profesorëve të Shqipërisë të vijnë të vendosen në Kosovë për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, një nga ta Arben Puto, që ligjëronte histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare, deri më 1980.
Megjithatë, Hoti me 1977 do dorëhiqej nga posti i tij, si shenjë revolte për hendekun e madh që krijohej mes gjendjes në Kosovë dhe republikave të tjera në Jugosllavi.