LajmeTë fundit

Takimi për taksën, ambasadori francez largohet nga presidenca

Takimi mes koalicionit qeverisës dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i nisur para rreth një ore, është duke vazhduar ende. Para pak minutash nga presidenca ka dalë ambasadori francez, Didier Chebert, raporton “Zëri.Info”.

Në këtë takim janë duke marrë pjesë Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj, kreparlamentari Kadri Veseli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe ministri i jashtëm Behgjet Pacolli.

Ndërsa për ambasadorin francez, i cili tashmë është larguar nga presidenca, nuk dihet nëse ishte pjesë e këtij takimi.

Ndërkohë, ky takim është thirrur për të diskutuar për taksën e vendosur ndaj produkteve serbe, për të cilën liderët institucionalë e ata të koalicionit nuk po arrijnë të dalin me një zë, se si të veprojnë tutje. Një takim i llojit të tillë është zhvilluar edhe gjatë ditës së sotme, ku pos krerëve institucionalë ka marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.