Lajme

Kelmendi-Kurtit: jam me ty për reciprocitet nëse shqiptarët në Luginë të Preshevës fitojnë të drejta sikur serbët në Kosovë

Kryeministër Kurti jam me ty për reciprocitet nëse shqiptarët në Luginë të Preshevës fitojnë të drejta sikur serbët në Kosovë!

I nderuari kryeministër Albin Kurti, zëvendësimi i taksës me reciprocitet, është iniciativë e gabuar dhe e dëmshme për Kosovën.
Pse?
Sepse nuk do të keni mundësi ta zbatoni në tërësi reciprcitetin në shumë fusha.
Një ndër fushat kryesore është respektimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore( Luginë të Preshevës).

Serbët e Kosovës janë ndër komunitetet më të privilegjuara në Kosovë.
Nga çdo qeveri e kaluar e deri te kjo e juaja e sotmja, komuniteti serb është komuniteti më i privilegjuar në Kosovë.
Ju si kryeministër keni tejkaluar të gjithë kryeministrat e kaluar sa i përket raportit me serbët në përgjithësi dhe Listën Serbe në veçanti.
Ju keni nderuar dhe respektuar Listën Serbe duke ia dhënë 2 ministri, ndërsa Lista Serbe nuk e ka votuar fare qeverinë e juaj.
Ju jeni kryeministri i vetëm në Kosovë që keni bërë një gjë të tillë.

Dhe tani po kërkoni reciprocitet me Serbinë.
A e dini çka don të thotë reciprociteti?

A e dini që shqiptarët e Kosovës Lindore( Luginës së Preshevës) janë të shtypur dhe diskriminuar nga qeveria e Beogradit?

A e dini që reciprocitet don të thotë që shqiptarët në Luginë të Preshevës të trajtohen njejtë sikur serbët në Kosovë?

A mendoni që Vuçiqi dhe Bërnabiqi do ti nderojnë dhe respektojnë shqiptarët në Luginë ashtu sikur ti po bën me serbët në Kosovë?

Unë jam 100% i bindur se qeveria e Serbisë as qërpikun nuk do ta lëvizë për shqiptarët në Luginë kur ti do ta largosh taksën dhe vendosësh reciprocitetin.

I nderuari kryeministër Kurti mendo pak edhe për shqiptarët e Luginës. Mos harro se ata asnjë qeveri e kaluar e Kosovës nuk i ka mbështetur.
Mos shko hapave të ish- kryeministrave që ishin para juve.
Mos e ndihmo Beogradin në shtypjen dhe diskriminimin e tyre.

I nderuari kryeministër Kurti, edhe pse jam kundër largimit të taksës 100% për produktet e Serbisë, unë do të iu mbështes nëse arrini që me reciprocitet ta ktheni dinjitetin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, që shqiptarët atje të kenë të drejta dhe privilegje sikur serbët në Kosovë.

Nëse nuk e arrini këtë, atëherë mos e mashtroni popullin.

Gëzim Kelmendi